Limaj: Dy javët e Ardhshme Vendimtare për Zgjedhjet

Në konferencën ku prezantoi si pjesë të Nismës ish-nënkryetarin e Partisë së Drejtësisë Avni Tafilin, Fatmir Limaj foli edhe për çështje tjera.

Limaj deklaroi se vendi së shpejti do të shkojë në zgjedhje.

“Vendi do të shkojë shumë shpejt në zgjedhje. Dy javët e ardhshme do të jenë dy javët vendimtare për të shkuar vendi në zgjedhje në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, tha Limaj.

Kreu i Nismës foli edhe për ecurinë e mocionit për rrëzimin e qeverisë, të cilin e propozoi vetë ai.

“Nga ajo që jam duke parë, dinamikat dhe konsultat që kam pasur, tani e tutje me deputetë tjerë, gjërat janë duke shkuar në drejtimin e duhur dhe në presin shumë shpejt edhe paraqitjen e mocionit, edhe suksesin e mocionit”, tha Limaj.

Limaj i dëshiroi mirëseardhje në Nismë edhe të ardhurit nga Partia e Drejtësisë.

“Zotëri Tafilit I dëshiroj mirëseardhje duke u bërë krah I ndryshimit të madh, i bashkimit të madh dhe i fitores që vie në Kaçanik dhe në Kosovë. Ne po bashkohemi në nevojën më të madhe për Kosovën, bashkimin për ndryshim”, tha Limaj.

Avni Tafili që ishte edhe kryetar i degës së partisë së Drejtësisë në Kaçanik tha se hyrjen e tij në Nismë e solli koha.

“Që nga aktivizimi im në politikë do të jem në një shërbim të plotë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, do ta çoj përpara agjendën për ndryshime dhe përmirësime të gjendjes sonë. Ky është një vendim që e solli koha që ne sot të radhitemi bashkë me Nismën, Nisma për ndryshim”, tha Tafili.

Në konferencën e Nismës u bë e ditur se Agim Çaka do të jetë kandidat i saj për kryetar të Kaçanikut.