Ligji që ‘Amniston’ Dënimin për Korrupsion Nxit Protesta në Rumani

Për të dytën ditë radhazi protestuesit u mblodhën në sheshin Viktoria në Bukuresht pasi demonstratat filluan menjëherë pas lajmërimit se qeveria social demokrate kishte miratuar dekretin emergjent që pjesërisht dekriminalizonte abuzimin me pushtetin dhe shfrytëzimin e influencës.

“Jam këtu sepse paguaj taksat dhe nuk dua që taksat e mia të shkojnë në xhepat e politikanëve të korruptuar që nuk mbajnë përgjegjësi,” tha për BIRN Liliana Mihalia një protestuese.

Rreth 15,000 persona u mblodhën para ndërtesës së qeverisë në Bukuresht të martën në mbrëmje dhe protesta ka pasur edhe në disa qytete të tjera në të gjithë vendin, pasi ministri i drejtësisë Florin Iordache njoftoi papritur se dekreti ishte miratuar.

Mbledhja e qeverisë ishte vetëm lidhur me diskutimin e buxhetit 2017, por dekreti dhe një projekt-ligj që kishin si synim faljen e politikanëve të dënuar për marrje ryshfeti janë vënë në rendin e ditës në minutën e fundit.

Dekreti do të hyjë në fuqi brenda 10 ditëve dhe modifikon përkufizimin e abuzimit me detyrën, duke e bërë atë një vepër penale vetëm nëse shuma e përfshirë është mbi 200.000 lei (rreth 45.000 euro).

Kjo do t’i japë mundësi liderit të Partisë Social Demokratike Liviu Dragnea, i cili del në gjyq këtë javë për shpërdorim të detyrës, të shmangë ndjekjen penale, pasi shuma e parave të përfshira në çështjen e tij është 24.000 euro.

Kritika nga magjistratët

Presidenti Klaus Iohannis tha se lëvizja ishte “e papranueshme, një skandal dhe një tallje”.

Iohannis të mërkurën mori pjesë në një takim të Këshillit të Lartë të Magjistraturës, që në mënyrë unanime vendosi të paraqesë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese duke e akuzuar qeverinë për kapërcim të kompetencave të saj dhe shpërfillje të organeve gjyqësore, ngaqë kishte detyrim të konsideronte arsyetimin e Këshillit të Lartë.

Kryetarja e Këshillit, Mariana Ghena, ishte një nga zyrtarët e para që kritikoi dekretin të martën në mbrëmje.

“Kalimi i një dekreti qeverie për të modifikuar kodin penal është i rrezikshëm, jodemokratik dhe nuk ka as respektin minimal ndaj transparencës së procesit të vendimmarrjes, konsultimeve dhe debatit publik,” tha Ghena, duke shtuar se lëvizja gjithashtu krijon potencial të barabartë për destabilitet social.

Ghena gjithashtu tha se mund të këtë mënyra që magjistratët të ndalojnë zbatimin e dekretit.

“Duhet ta mendojmë mirë. Nuk marrim vendime nën presion dhe impulse,” tha ajo.

Kreu i Drejtorisë Anti-Korrupsion të Rumanisë, Laura Codruta Kovesi, gjithashtu akuzoi qeverinë për shpërfillje të këshillave të ekspertëve.

“Institucionet gjyqësore u pyetën për opinion dhe ato dhanë përgjigje negative. Dekreti u modifikua dhe ne u pyetëm për një tjetër opinion sot [të mërkurën] në orën 9, por ata e kaluan atë mbrëmë gjithsesi,” tha ajo.

Partitë kryesore opozitare, Liberalët dhe Bashkimi Të Shpëtojmë Rumaninë, thanë se ata do të nënshkruanin një mocion të përbashkët për të gjykuar qeverinë e kryeministrit Sorin Grindeanu.

Megjithatë, social demokratët e Grindeanu dhe aleatët e tyre në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve kanë një shumicë parlamentare.

Nga ana tjetër ministri i drejtësisë Iordache tha se ai nuk mendoi se kishte nevojë për një mendim apo arsyetim të magjistratëve për dekretin dhe ligjin për të falur politikanët.

Dekreti ka shqetësuar gjithashtu Komisioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Komisioni paralajmëroi qeverinë të mos tërhiqet nga lufta kundër korrupsionit. Ndërsa ambasadori amerikan Hans Klemm telefonoi kryeministrin dhe i kërkoi për një takim. Klemm shprehu shqetësimin e tij javën e shkuar rreth planeve të qeverisë për të dekriminalizuar abuzimin me pushtetin dhe faljen e atyre që ishin dënuar për ryshfet.

Ndërkohë aktivistët kanë filluar të organizohen në median sociale për të protestuar derisa dekreti të tërhiqet.