Nga Forumi i OSBE-së për gjuhët. Foto: Kallxo.com

Ligji për Gjuhët në Kosovë nuk Zbatohet Plotësisht

Në një forum për respektimin e të drejtave gjuhësore të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, shefi i këtij Misioni, Jan Braathu, tha se multikulturalizmi dhe gjuhët e shumta kanë qenë pjesë e Kosovës për një kohë të gjatë dhe këtë ai e sheh si një vlerë për shoqërinë.

Por, sipas tij, ky ligj në Kosovë nuk zbatohet plotësisht.

“Korniza ligjore e Kosovës është e avancuar, kur flasim për të drejtat gjuhësore Kosova ka dy gjuhë zyrtare dhe anglishtja nuk është natyrisht një prej tyre. Në kornizën ligjore thuhet se serbishtja e shqipja janë të barabarta. Por në Prizren, Gjilan e në disa vendet e tjera në Kosovë janë edhe disa gjuhë si ajo turke, rome nëpër komuna janë të barabarta. Të drejtat gjuhësore praktikohen edhe në komunat me shumicë serbe dhe turke. Zbatimi i kësaj kornize ligjore nuk është i plotë dhe kjo na mbledh sot. Ka mospërputhje në dokumente zyrtare dhe ligje qon në huti”, tha Ambasadori Jan Braathu.

Brathu shtoi se kjo është esenciale sepse njerëzit që jetojnë bashkë duhet të komunikojnë me njëri tjetrin, është e rëndësishme edhe për ekonominë.

“Njohja e gjuhëve të fqinjëve është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Anglishtja nuk është e mjaftueshme. Gjuha është një dritare për të njohur më mirë njëri tjetrin, kjo është një vlerë europiane”, shtoi Brathu.

Në këtë forum për gjuhët kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u pajtua me shefin e OSBE-së se ligji për gjuhët duhet të ketë shumë implementim në praktikë

“Nuk është vetëm obligim ligjor por edhe nevojë e njerëzve. Ne si qeveri e Kosovës të promovojmë gjuhët si vlerë e Kosovës, gjuhët janë urë për të kaluar të kaluarën, për të minimizuar keqkuptimet. Kushtetuta jonë është e avancuar, të drejtat për gjuhë, ne jemi shtet bilingual, shqipja dhe serbishtja janë gjuhë zyrtare, por ne duhet të bëjmë edhe më shumë në implementim”, është shprehur Haradinaj.

Pjesë e këtij forumi janë edhe përfaqësues nga Kanadaja, Zvicra, Finlanda dhe Belgjika vende ku fliten shumë gjuhë dhe promovohen gjuhët. Sipas shefit të OSBE-së në Kosovë atje njerëzit që synojnë të punojnë që qeveri duhet të kalojnë një test për gjuhët.

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri për Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq ka theksuar se këto probleme për gjuhët duhet të zgjidhen me hapa konkret.

“Shumë herë në të kaluarën kemi folur për këto probleme, tani duhet të flasim për hapa konkretë dhe veprime konkrete që këto probleme të zgjidhen”, ka potencuar Jevtiq.

Sipas ministrit për komunitete dhe kthim ka qenë e mundur të punohet edhe më shumë në këtë drejtim siç është bërë edhe në ministrinë që ai e udhëheq ku asnjë dokument nuk është lëshuar pa u përkthyer në të gjitha gjuhët zyrtare.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler gjatë këtij diskutimi theksoi se regjioni i Ballkanit Perëndimor është i fragmentuar, është shumë i pasur kulturalisht.

“Për shembull në Kosovë njerëz të zakonshëm flasin tri gjuhë të ndryshme. Ndoshta ndihmon të kalohen disa pengesa nëse e flet gjuhën e tjetrit”, tha ambasadori austriak.

Komisioneri për gjuhët në qeverinë e Kosovës, Slavisa Mladenoviq i cili fjalimin e tij e prezantoi në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht theksoi se Ligji për Gjuhët në Kosovë nuk zbatohet në tërësi.

“Kjo është më evidente në përdorimin e drejtë të drejtshkrimit. Qasja në drejtësi, punësim dhe arsim, e si rezultat i kësaj e drejta e komuniteteve është e kufizuar”, tha Mladenoviq.

Pjesë e këtij forumi për gjuhët ishte edhe ish shefi i UNMIK-ut në Kosovë tashmë komisari i lartë për pakica në OSBE, Lamberto Zannier, i cili po ashtu theksoi se Ligjit për Gjuhët në Kosovë i duhet më shumë implementim.

“Gjuha mund të marrë role të ndryshme në një shoqëri. Gjuha është mjet për organizimin shoqëror, mund të shërbej për njerëzit që të komunikojnë me pjesën tjetër të shoqërisë. Sfida për Kosovës është implementimi. Duhet të kalohen disa pengesa që ai të implementohet. Qasja në institucionet publike është një prej komponentëve që e bën një shoqëri stabile”, përfundoi Lamberto Zannier.