Foto: Wikimedia Commons

Ligji i Eutanazisë Shpërfillet për të Lehtësuar Vuajtjet e Kafshëve në Kosovë

Megjithëse procesi i eutanazisë (vrasja e kontrolluar pa dhimbje për të shmangur vuajtjet e mëdha ndër të sëmurët e pashpresë) është mënyra e vetme ligjore e mbytjes së kafshëve në Kosovë, preparatet e nevojshme për këtë proces nuk janë parashikuar nga institucionet përgjegjëse.

Në çfarëdo rasti kur paraqitet nevoja që të kryhet procesi i eutanazisë tek kafshët në Kosovë, ajo nuk mund të kryhet në rrugë ligjore sepse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës nuk ka licensuar asnjë preparat për kryerjen e kësaj procedure në Kosovë.

Ky boshllëk ligjor ku në një anë, sanksionohet eutanazia si “vrasje pa dhembje në rastet e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit publik”, e në tjetrën, nuk parashikohen preparatet e domosdoshme, ka krijuar një situatë pa zgjidhje.

Diçka e tillë i ka shtyrë veterinerët dhe aktivistët e të drejtave të kafshëve në Kosovë që ta shpërfillin ligjin e paplotë me qëllim lehtësimin e vuajtjeve të kafshëve që nuk kanë shpresë të shërohen.

Kosova e ka ndaluar vrasjen e kafshëve në çfarëdo mënyre tjetër përpos eutanazisë edhe në rastet e shfaqjes së sëmundjeve infektive apo për arsye të tjera.

Udhëzimi administrativ për luftimin e sëmundjeve infektive-zootonike apo tërbimit, ndalon eliminimin e kafshëve endacake me armë të zjarrit. Kombinimi i këtyre kufizimeve dhe mungesave ligjore paraqet sfida në rritje me popullatën e qenve endacakë të Kosovës, numri i të cilëve nuk dihet zyrtarisht.

http://kallxo.com/probleme-4000-qente-endacake-te-pejes/

http://kallxo.com/deshton-dy-here-tenderi-per-grumbullimin-e-qenve-endacake-ne-gjakove/

Në raporte të ndryshme, numri i tyre varion nga 9000 deri në 200,000.

Komunat deklarojnë se janë marrë me këtë problem me të ashtuquajturën “Metodë e Kapjes, Grumbullimit, Sterilizimit dhe Lëshimit” (CNVR).

Megjithatë, në raste të rrezikshmërisë së lartë dhe sëmundjeve si ajo e tërbimit, parashihet që të përdoret eutanazia.

Veterinari Arben Sinani, i cili udhëheq një klinikë të veterinarisë në Kamenicë, shpjegoi për Gazetën Jeta në Kosovë se në klinikën e tij eutanazia kryhet përmes një preparati të quajtur T-61.

Sipas Sinanit, ky preparat kombinohet me preparate të tjera për të evituar vuajtjen e kafshëve.

“Preparati T-61, unë mendoj se nëse zbatohet mënyra e aplikimit me anestezion, nuk ka asnjë problem te kafsha dhe nuk shkakton vuajtje”, shpjegoi Sinani.

Por ai nuk komentoi për llojin e preparateve të cilat janë të licencuar në Kosovë për këtë përdorim.

Në anën tjetër, Lamir Thaçi, zyrtar për Informim në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, të Kosovës, tha se institucioni nuk ka lëshuar ndonjë licencë për preparate që përdoren për eutanazi.

“Sektori i Produkteve Medicinale Veterinare i AUV-së, nuk ka të regjistruar deri më tani ndonjë kërkesë për import të substancave për eutanazi si dhe nuk ka lëshuar asnjë licencë apo certifikatë të substancave për eutanazi”, deklaroi Thaçi.

Ndërkaq, as nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale nuk ka përgjigje rreth llojit të substancave që janë të parapara të përdoren për eutanazi në Kosovë.

Megjithëse nga AUV nuk ka zgjidhje për preparate të këtij lloji, në draft rregulloren që po përgatitet nga kjo agjenci, parashihet që eutanazia të kryhet për çdo qen që rri në strehimore të kafshëve më shumë se 30 ditë pa u adoptuar.

Bazuar në deklaratat e më shumë se një veterineri sa i takon kryerjes së eutanazisë me preparate të prodhuara enkas për këtë qëllim, por të paparashikuara për përdorim në Kosovë, eutanazia vërtet praktikohet nga veterinerët, por ajo bëhet me preparate të importuara ilegalisht.

Bardh Salihu, aktivist i të drejtave të kafshëve në Kosovë, i cili kujdeset veçanërisht për qentë endacakë, thotë se korniza ekzistuese ligjore është bërë pa kujdes dhe nuk pasqyron nevojat dhe realitetin në terren.

“Këto ligje vetëm i kanë kopjuar diku, por nuk implementohen. Këtu [në Kosovë], bëhet eutanazia, unë vetë i kam futur disa qen në gjumë”, thotë Salihu për Gazetën JNK, duke përdorur një term më të butë për të përshkruar eutanazinë

Por ai shton se nuk ka qenë në dijeni se edhe duke futur në eutanazi një qen të pashpresë ka qenë duke thyer ligjin dhe se ky problem duhet të adresohet sa më shpejt për të mbushur boshllëqet në legjislacion. Nga ana tjetër, Salihu thekson se ndërkohë është i gatshëm ta thyejë ligjin përsëri që të shpëtojë nga vuajtjet qentë që nuk kanë shpëtim.

“Në afat të shkurtër, si duket, jemi të detyruar ta thyejmë ligjin, e që nuk e paskemi ditë. Unë si aktivist, a do të shkoj prapë me shti në gjumë qenin e ardhshëm që kam nevojë me shti në gjumë? Besoj që po, sepse dihet që është mënyra më humane për ta bërë dhe bëhet në krejt botën”.