Foto: OSBE

‘Ligjërata’ e Thaçit i lë Gazetarët pa Pyetje në Konferencën e Tyre

Komentet e kreut të shtetit u bënë në një konferencë rajonale të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për sigurinë e punës së gazetarëve.

“Gazetarët në Kosovë kanë qenë ndër të parët që janë angazhuar për pluralizëm, për demokraci, për barazi, për të drejta të njeriut dhe për liri të shprehjes. Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë bërë përpjekje të mëdha që të instalohet një gazetari profesionale, e besueshme dhe gjithmonë në shërbim të publikut”, tha Presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se janë kultivuar vlerat si paanshmëria, profesionalizmi, zelli për të hulumtuar dhe për të kërkuar informatën e saktë, si dhe guximi për të publikuar çdo informatë.

“Kjo ka pasur çmimin e vet meqë gazetarët gjithmonë kanë qenë në thumb të atyre që me dhunë dhe me represion kanë kërkuar të instalojnë politikat e tyre”, u shpreh ai.

Por drejtorja e Zyrës në Kosovë të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), jeta Xharra, kritikoi veprimin e Thaçit i cili u largua nga konferenca sapo e përfundoi fjalimin e vet, duke mos i dhënë mundësinë pjesëmarrësve për të bërë pyetje.

Xharra tha se ka qenë partia që drejtohej nga Thaçi, PDK, e cila ka qenë e përfshirë në fushata kundër gazetarëve, siç është rasti kundër ekipit të BIRN-it në vitin 2009, përmes gazetës së afërt me këtë parti, “Infopress”.

“Ka fushata të vazhdueshme kundër gazetarëve, një fushatë që ka filluar në vitin 2009 e Infopress kundër ekipit të BIRN… ata gazetarë që e kanë zhvilluar këtë fushatë para një muaji dhe kanë kërku falje duke thënë se na ka shty një parti politike, PDK, për me ba këtë fushatë. Ka pasur kërkim- falje nga ana e gazetarëve, por nuk ka pasur kërkim- falje nga partia”, tha Xharra.

Veran Matiq, Kryesues i Fondit të B92 dhe President i Komisionit për Hetimin e Vrasjeve të Gazetarëve në Serbi tha se janë krijuar persona kontaktues që të reagohet në raste të kërcënimeve e dhunës ndaj gazetarëve.

Ai tha se një komision i tillë duhet të formohet edhe në Kosovë.

“Themelimi i komisionit mendoj se do të jetë më i ndërlikuar në Kosovë. Ka ardhur koha që të dimë se këto raste nuk janë trajtuar dhe duhet të ndërmerret një hap përpara”, tha Matiq.

Në këtë konferencë, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se është e rëndësishme që gazetarët të jenë të bashkuar në mbrojtje të parimeve të profesionit të tyre, pa marrë parasysh gjininë, përkatësinë etnike apo fetare.