Magjistralja Prishtinë-Shkup | Foto: KALLXO.com

Lidhjet e Këqija Rrugore që Pengojnë Tregtinë

Ata thonë se gjatë kësaj kohe bizneset kosovare kërkojnë të eksportojnë malrat gjithnjë e më shumë duke përdorur rrugën alternative drejt portit detar nëpër autostradën mes Kosovës e Shqipërisë të përfunduar në vitin 2013, sesa të kalojnë nëpër Maqedoni drejt Greqisë.

Në vitin 2015 shkëmbimet tregtare mes dy fqinjve ranë në gati 200 milionë euro, sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Statistikave të Maqedonisë.

Biznesmenët thonë se autostrada e premtuar 13 kilometërshe nga kryeqyteti i Maqedonisë Shkupi deri te kufiri me Kosovën do ta rriste tregtinë.

“Është një autostradë vetëm 13 kilometërshe, por për shkak të mungesës së saj Shqipëria ka marrë përsipër tregun e Kosovës,” tha Nebi Hoxha, kreu i Odës Ekonomike të Maqedonisë Perëndimore.

Hoxha tha se rruga aktuale me dy korsi që është në gjendje të keqe dhe shpesh e ngulfatur nga trafiku i dendur, nuk mund të konkurrojë me autostradën e re që lidh Prishtinën me Tiranën dhe qytetin-port të Durrësit.

Para ndërtimit të autostradës Shqipëri-Kosovë bizneset kosovare vareshin në masë të madhe nga porti detar i Selanikut të Greqisë, duke e bërë Maqedoninë një vend të pashmangshëm transiti.

Përkundër rënies së shkëmbimeve tregtare, Kosova mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar për Maqedoninë, sidomos për arsyen se Maqedonia vazhdimisht eksporton shumë sesa importon nga fqinji i saj.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu përsërit atë që e thotë kolegu i tij maqedonas.

“Infrastruktura mbetet barriera e fundit për një lëvizje më të mirë të mallrave dhe njerëzve,” i tha Gërxhaliu “Plus Info”-s.

“Kosova tashmë po e ndërton autostradën e saj dhe tani pala maqedonase duhet të bëjë të njëjtën gjë,” shtoi Gërxhaliu.

Ai gjithashtu bëri thirrje për një lidhje më të mirë rrugore mes qytetit të Tetovës dhe Prizrenit në anën kosovare të kufirit.

Qeveria maqedonase së pari premtoi ndërtimin e autostradës nga Shkupi deri në kufi me Kosovën në vitin 2001, por deri tani ndërtimi nuk ka filluar.

Studimi i fizibilitetit vlerëson se çmimi i autostradës në anën maqedonase do të jetë rreth 60 milionë euro- sa ia në pjesën kosovare ku autostrada është në fazën finale.

Çmimi relativisht i lartë i pjesës maqedonase është për faktin se rruga e re duhet të kalojë nëpër një grykë të ngushtë në kufi.

Pas takimit me përfaqësues të Bankës Botërore, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Driton Kuçi kërkoi përkrahjen e kësaj organizate për pjesën maqedonase të rrugës.

Edhe pas takimit të javës së kaluar me homologen e tij kosovare Hykmete Bajrami, Kuçi u bëri thirrje kolegëve të tij nga qeveria maqedonase për të shpejtuar gjërat.

Ai tha e ka ngritur këtë çështje më shumë se dhjetë herë në gjashtë muajt e fundit gjatë takimeve të qeverisë, por tha se nuk ka marrë përgjigje nga kolegët e tij.

BIRN-i e ka pasur të pamundur të marrë një deklaratë në lidhje me vonesat për rrugën nga Ministria e Transportit të Maqedonisë. Kjo ministri është përgjegjëse për këtë projekt.