Faksimile e vizës së Kosovës në pasaportën e Mladen Ivaniq

Lideri Serb i Bosnjës Viziton Kosovën me Leje të MPJ-së, i Vendoset Viza në Pasaportë

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Mladen Ivaniq, ka qëndruar për tri ditë në Kosovë me leje të autoriteteve të Kosovës.

Burime të KALLXO.com nga Ministria e Punëve të Jashtme thanë se politikani serb i Bosnjës ka marrë leje për të qëndruar në Kosovë dhe se në pasaportën e tij është vendosur viza hyrëse e Kosovës.

KALLXO.com ka siguruar si dëshmi vizën e vendosur në faqen e pasaportës së Ivaniq.

Sipas burimit të MPJ-së, Ivaniq ka kërkuar leje dhe është pajisur me vizë të Kosovës për tri ditë, nga 3 deri më 5 mars.

“Ai sot e ka lëshuar Kosovën, por kërkesën për vizitë private e ka bërë në Zyrën Ndërlidhëse (të Kosovës) në Beograd, dhe Zyra Ndërlidhëse atje e ka transferuar kërkesën në Kosovë. MPJ i ka leju vizitën në Kosovë dhe e ka pajisë me vizë të Kosovës në kufi”, tha burimi nga MPJ.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, në Prizren, Ivaniq ka vizituar disa objekte fetare ortodokse dhe ka folur për qëndrimin e serbëve të Kosovës në vendbanimet e tyre.

Mladen Ivaniq gjatë vizitës në Hoçë të Madhe të Rahovecit. Foto: PDP/Youtube

“Është detyrë e të gjithë neve që punojmë në punë publike që të ndihmojmë dhe të jemi me njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi sepse qëndrimi i tyre këtu don të thotë shumë. Kosova dhe Metohija është e rëndësishme për popullin serb dhe ne duhet gjithmonë ta trajtojmë si popullin tonë

Ai e ka vizituar edhe fshatin Hoçë e Madhe në komunën e Rahovecit.

“Është ndjenjë e jashtëzakonshme ta shoh entuziazmin, dëshirën dhe forcën që njerëzit kanë për të qëndruar këtu”, tha Ivaniq gjatë qëndrimit në këtë fshat ku jetojnë rreth 700 serbë.

Kosova ka vendosur vite më parë reciprocitet në çështje të udhëtimit me Bosnjën duke qenë se Bosnja nuk ka pranuar t’i njohë dokumentet kosovare të udhëtimit. Për pasojë, qytetarët e të dy shteteve duhet të pajisen me vizë.