Liderët Urojnë Qytetarët e Kosovës

Rekomandimin për heqjen e vizave e kanë përshëndetur edhe autoritetet e Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Hashim Thaçi ka shkruar:

“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë rrefuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”.

Edhe kryeministri Isa Mustafa ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social.

“Urime Qytetarë të dashur! Rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian. Rezultatet e punës së Qeverisë çdo ditë e më shumë janë të prekshme për qytetarët e Kosovës, qytetarë të kontinentit dhe të vlerave evropiane”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Qollaku tha se rekomandimi ka ardhur si rezultat i punës së të gjithë qytetarëve por edhe institucioneve.

Sipas tij, me dhënien e rekomandimit, Bashkimi Evropian na e ka hapur portën e vet, prandaj edhe ne si evropianë të rinj duhet të japim kontributin tonë.

Ndërsa, kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli pasi ka shkruar se rekomandimi për  liberalizimin e vizave është një lajm historik për Kosovën, ka theksuar se së shpejti do të mund të udhëtojmë të lirë e pa viza “në kontinentin tonë”.

Ndërkohë, para pak minutash ka nisur një takim mes kryeministrit Mustafa dhe shefit të Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar.