Xhami - Foto: Rtv21

Liderët urojnë fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit

Nesër është dita e parë e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Drejtues të institucioneve dhe të subjekteve politike kanë uruar besimtarët e besimit islam për fillimin e muajit të Ramazanit.

Presidenti Hashim Thaçi u ka uruar të gjithëve agjërim të lehtë dhe shumë paqe, dashuri e tolerancë me njëri- tjetrin gjatë muajit të Ramazanit.

“Besimtarët e fesë islame, nesër nisin agjërimin e muajit të Ramazanit, kur shtohen vetëpërmbajtja individuale, solidariteti kolektiv dhe veprat e bamirësisë. Ky muaj i bekuar e forcon moralin dhe rrit devotshmërinë, prandaj si President i Republikës së Kosovës, të gjithë besimtarëve islamë u uroj agjërim të lehtë dhe sa më shumë paqe, dashuri dhe tolerancë me njëri-tjetrin”, ka shkruar Thaçi në ‘Facebook”.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkruar që ky muaj të shërbejë për forcimin e ndjenjës së flijimit, vetëpërmbajtjes, mëshirës dhe faljes mes njerëzve.

“Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, besimtarëve të fesë islame, u shpreh urimet më të sinqerta, me dëshirën që ky muaj të sjellë më shumë të mira shpirtërore, begati dhe mirëqenie”, ka shkruar Haradinaj.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar agjërim të lehtë dhe përmbushje shpirtërore.

“Dëshiroj t’ua uroj përzemërsisht një Ramazan të mbarë, agjërim të lehtë, dhe përmbushje shpirtërore. Ky muaj i dedikohet disiplinimit të dëshirave vetjake, e njëkohësisht është muaj i bashkësisë dhe i solidaritetit me ata që janë në pozitë ekonomike më të vështirë. Ua forcoftë ky muaj zemrat e jua rrittë vullnetin për punë të mira”, thuhet në postimin e Kurtit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka kërkuar që të solidarizohemi me ata që janë në nevojë.

“Kam kënaqësinë t’ju uroj muajin e shenjtë të Ramazanit, i cili për ne myslimanet fillon nesër. Gjatë këtij muaji të bukur, ju uroj të gjithëve lumturi, harmoni dhe shëndet në shtëpitë e juaja. Gjithë agjërueseve i uroj agjërim të lehtë. Të solidarizohem me çdo kënd në nevojë, dhe të respektojmë njëri tjetrin”, ka shkruar Pacolli.

Kryetarja e subjektit “Alternativa”, Mimoza Kusari- Lila, ka uruar që muaji i shenjtë i Ramazanit të jetë muaji i lutjeve dhe shpresës për botën pa dhunë.

“Në prag të fillimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit, të gjithë besimtarëve mysliman që kanë vendosur të agjërojnë, Alternativa u uron agjërime të lehtë, paqe dhe begati. Ky muaj shënohet si muaji i sakrificës dhe rilindjes. Të ketë paqe më shumë në këtë botë dhe rilindje pas sakrificave njerëzore të cilat na rëndojnë shpirtin dhe turbullojnë mendjen.  Bota ka nevojë për paqe, tolerancë dhe pranim të gjitha vlerave njerëzore”, ka shkruar Kusari- Lila.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka uruar të gjithë për muajin e Ramazanit.

“Te dashur miq, Urime muaji i bekuar i Ramazanit. Agjërim te lehtë”, ka shkruar Hoti.