Liderët Ngushëllojnë për Vdekjen e Profesor Çapriqit

Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit kanë shprehur ngushëllimet e tyre  pas ndarjes nga jeta të profesorit Basri Çapriqi.

Presidenti Thaçi e quajti vdekjen e Profesorit një humbje e madhe për shkak të kontributit të tij.

“Vdekja e hershme e krijuesit, pedagogut dhe intelektualit Basri Çapriqi është humbje e madhe për familjen, miqtë, institucionet arsimore dhe kulturore, ku ai dha një kontribut të çmuar. Ngushëllimet më sinqerta familjes Çapriqi”, shkroi Thaçi në Facebook.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli po ashtu çmoi kontributin e Çapriqit në institucionet arsimore.

“Si profesor universitar, intelektual i angazhuar e poet, Çapriqi dha kontribut të rëndësishëm në proceset e avnacimit politik e kulturor të shoqërisë sonë. Ky është kujtimi për të, që do të mbetet përgjithmonë, në memorien e të gjithë atyre që e njohën, bashkëpunuan e mësuan prej tij”, shkroi Veseli.

Çapriqi ndërroi jetë dje në moshën 58 vjeçare  ndërsa, ishte studiues e kritik i letërsisë, poet e veprimtar.

I lindur në Ulqin më 1960, Basri Çapriqi është autor i shumë librave me poezi e kritikë letrare.

 

 

http://kallxo.com/ka-vdekur-profesori-basri-capriqi/