Shkëmbinjtë Koricani në Mount Vlasic, një nga vendet e vizituara nga liderët fetarë. Foto: Yahadzija/Wikimedia Commons.

Liderët Fetarë Boshnjakë Nderojnë së Bashku Viktimat e Njëri-Tjetrit

Në një përpjekje për të treguar respekt për viktimat nga komunitetet e njëri-tjetrit, anëtarët e Këshillit Ndërfetar të Bosnjës të hënën vizituan disa vende ku u kryen mizori kundër njerëzve nga grupe të ndryshme etnike të vendit gjatë luftës së 1992-1995.

Kjo ishte hera e parë që liderë fetarë nga besime të ndryshme janë bashkuar për të bërë nderime për viktimat nga grupet etnike të njëri-tjetrit.

“Ka ardhur koha që të gjithë të ndiejnë sinqerisht turp për gjithçka që ka ndodhur mes nesh,” tha peshkopi ortodoks serb Vladika Grigorije, raportoi faqja boshnjake e lajmeve Klix.

Grigorije u shoqërua nga kardinali katolik Vinko Puljiq, zëvendës i Myftiut të Madh Husejin Smajiq, një përfaqësues i komunitetit hebre të vendit, Boris Kozemjakin, dhe Ministri i Bosnjës për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët, Semiha Borovaq.

Klerikët dhe ministri vizituan komunitetin hebre të Sarajevës, zonën Kazani të kryeqytetit, Krizancevo Selo, Kruscica dhe shkëmbinjtë Koricani, ku u lutën të gjithë bashkë për shpirtrat e viktimave të vrara.

Masakra e shkëmbinjve Koricani u zhvillua në vitin 1992, kur rreth 150 të burgosur civilë boshnjakë dhe civilë u ekzekutuan dhe trupat e tyre u hodhën në humnerë.

Numri i serbëve dhe kroatëve të vrarë në Kazani nga trupat e Ushtrisë Boshnjake në vitin 1992 dhe 1993 mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht, por mediat lokale kanë vlerësuar se është rreth 30.

Në Krizancevo Selo, pranë qytetit të Vitezit, trupat e Ushtrisë Boshnjake vranë dhjetëra kroatë në vitin 1993.

Fshati Kruscica ishte vendi i një kampi përqendrimi i Luftës së Dytë Botërore i ngritur nga kroatët, ku mijëra viktima, shumica hebrenj, u rrethuan dhe vdiqën.

“Mund të themi se kjo po ndodh vonë – është diçka që duhet të kishte filluar të bëhej pas luftës në Bosnjë,” tha për BIRN Edina Beqireviq, autorja e librit “Gjenocidi në lumin Drin”.

Gjatë konfliktit të viteve 1992-1995, feja luajti një rol të madh në fushatat që partitë nacionaliste nga grupet e ndryshme etnike udhëhoqën kundër njëra-tjetrës.

Ndjenjat fetare shpesh janë manipuluar për përfitime politike dhe komunitetet fetare lokale kanë qenë të lidhura ngushtë me partitë dominuese me bazë etnike, tha Beqireviq.

“Fakti që liderët fetarë pranuan ta bëjnë këtë mund të nënkuptojë se partitë etnike mund ta ndjekin këtë shembull dhe të kenë një qasje më përfshirëse kur vjen puna te pajtimi mes njerëzve,” tha ajo.