Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Libri për Thaçin Publikohet para Ditës së Pavarësisë

Sipas botuesit britanik Biteback Publishing, libri biografik për Hashim Thaçin, i shkruar nga Roger Boyes dhe Suzy Jagger do të botohet më 15 shkurt, dy ditë para se Kosova të festojë 10 vjetorin e pavarësisë.

Ky botues në faqen e tij të internetit ka njoftuar se mes librash tjerë edhe libri për Thaçin  me titullin “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography” prej tash e deri sa të botohet mund të paraporositet.

Botuesi e “ndjell” lexuesin për ta blerë këtë libër me fjalët e autorëve të saj se “ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 mbetet një shembull unik dhe i shkëlqyeshëm që çoi në një proces paqësor të kalimit nga lufta e egër etnike drejt demokracisë moderne”.

Në vendin ku është publikuar njoftimi për shitje së shpejti të këtij libri, Presidenti Thaçi përshkruhet si një udhëheqës i ri studentësh që udhëhoqi një revolucion kundër Slobodan Millosheviqit, duke e bindur perëndimin që të bombardojë Beogradin.

Aty thuhet gjithashtu që “bombardimet ajrore dhanë sinjal për një periudhë paqeje të pakrahasueshme në Ballkan” dhe pastaj u përdorën edhe në vende tjera, por nuk dhanë rezultat si në Kosovë.

“Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, e udhëhequr nga Tony Blair dhe Bill Clinton, rezultoi në demokraci dhe sundim të ligjit”, thonë autorët e librit.

Edhe vetë Thaçi e ka paralajmëruar daljen e librit në shkurt, ndërsa mediat kanë raportuar se janë shkaktuar debate rreth këtij libri.