Mbledhja e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian - Foto: Zyra e Presidentit

Liberalizimi, Thaçi Kritikon BE-në për Kushtet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi konsideron se Bashkimi Evropian ka qasje të padrejtë ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në mbledhjen e thirrur nga Presidenti të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, ai ka theksuar se BE po kërkon nga Kosova kushte të cilat nuk i kanë plotësuar as shtetet që kanë marrë apo do të marrin liberalizimin e vizave.

“Si president i vendit e konsideroj krejtësisht jo të drejtë këtë qasje të Bashkimit Evropian. Sa kufij shtetërorë i kanë shënuar dhe ratifikuar shtetet e rajonit, duke filluar nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, përpara se BE-ja të merrte vendimin për liberalizimin e vizave”, deklaroi Thaçi.

Ndërkaq, sipas tij, edhe kushti i dytë për fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit paraqet presion nga BE në sistemit gjyqësor.

“Kjo është një punë e vazhdueshme, e cila duhet të fuqizohet edhe më shumë. Prandaj, as BE-ja dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të bëjë presione në punën e gjyqësorit, e cila do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai megjithatë ka theksuar se Kosova nuk është kundër heqjes së vizave për secilin shtet por kundërshton fuqishëm diskriminimin e qytetarëve të Kosovës nga e drejta e lëvizjes së lirë.

“Izolimi i padrejtë i kosovarëve duhet të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj nuk e kanë as edhe një argument të vetëm që t’i mbajnë të izoluar qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Kjo është hera e parë, që presidenti Thaçi ka thirrur Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, prej që ka marrë këtë post në prill të vitit 2016.