'Liberalizimi Mund Edhe të Suspendohet'

Komisioneri për Punë të Brendshme i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos, bashkë me lajmin për liberalizimin e vizave për kosovarët ka dhënë edhe paralajmërimin që të respektohen kriteret e udhëtimit në vendet e zonës Shëngen.

Duke folur në konferencën për shtyp në Prishtinë, Avramopoulos tha se mosrespektimi i kritereve mund të ketë efekt të drejtpërdrejtë meqë e drejta për lëvizje të lirë ka edhe obligime nga shtetasit e shteteve që përfitojnë nga ky vendim.

“Nuk do të dëshironim të shihnim ndonjë lloj mekanizmi suspendues sepse nëse obligimet nuk respektohen kjo do të ketë ndikim direkt në marrëveshjen tonë”, tha ai.

“Autoritetet e Kosovës e kanë marrë përgjegjësinë për një fushatë me të cilën qytetarët do ta dinë cilat janë të drejtat dhe obligimet”, u shpreh Avramopoulos.