‘Liberalizimi’ i Humorit të Mustafës e Thaçit

Liderët e Kosovës njihen përgjithësisht për qëndrim të ngurtë kur dalin para gazetarëve apo nëpër pozat e fillimit të takimeve të tyre zyrtare por lajmet e mira që i erdhën Kosovës në dy ditët e fundit duket se kishin ngacmuar sensin e tyre të humorit.

Isa Mustafa shpesh është përballur me pyetjen për liberalizimin e vizave gjatë kohës sa është në postin e kryeministrin.

Sot kur e kishte në xhep rekomandimin për liberalizim, ai ‘kundërsulmoi’ gazetarët.

“A keni viza ju?”, pyeti Mustafa të pranishmit.

Humori ka ‘vizituar’ edhe Presidentin Hashim Thaçi, në takimin e tij të mëngjesit me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai ngacmoi ambasadorët me lajmin e djeshëm të pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA.

“Mund të imagjinoj se ndonjë ekip i juaji mund të dobësohet me ardhjen tash të ekipit kosovar”, tha Thaçi duke qeshur.