Nga promovimi i librit "Të gjithë bashkohemi në shesh". Foto: Kallxo.com

Libër për Protestat e VV-së në 28 Vjetorin e Lindjes së Astrit Deharit

Një aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur që librin e saj “Rrugët tona bashkohen në shesh” ta promovojë në ditën kur aktivisti i ndjerë Astrit Dehari do t’i mbushte 28 vjet.

Autorja e këtij libri Nurimshahe Demalija tha se jo rastësisht promovimi i librit u bë sot.

“Sot jo rastësisht jemi në këtë datë për të bërë promovimin e librit i cili i kushtohet Astrit Deharit. Ai sot do të mbushte 28 vjet. Ditëlindjen e fundit e priti me ne në shesh duke kundërshtuar demarkacionin dhe zgjedhjen e Hashim Thaçit president”, tha Demalija.

Pjesë e këtij promovimi ishte deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi i cili tha se porosia e veprës është krejt aktuale me gjendjen në vend.

“Kur i marrim të gjitha rrethanat se si ka ardhur deri te rasti i Astritit, ato rrethana kanë ndryshuar në kohë por shkaqet dhe aryset elementare kanë mbetur aty”, u shpreh Kurteshi.

Ndërsa zyrtarja për informim në Lëvizjen Vetëvendosje, Tinka Kurti e cila foli për përmbajtjen e librit tha se ngjarjet në libër janë nga gushti i vitit 2015, koha pas nënshkrimit të marrëveshjeve të Demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, organ që në fjalorin e Vetëvendosjes quhet “Zajednica”.

“Ky libër është një lloj ditari i aktivistit. E kam pasur bindjen se ato ngjarje do ta marrin një formë të shënimeve historike të cilat e përbëjnë librin” u shpreh Kurti.

Në këtë promovim morën pjesë edhe familjarët e  aktivistit Astrit Deharit i cili vdiq në  Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, i cilësuar si akt terrorist.