Libër për Demokracinë, Korrupsionin dhe BE-në në Kosovë

Ish-shefi i sektorit ekonomik të ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) Andrea Lorenzo Capussela ka promovuar sot në Prishtinë librin e tij “Shtetndërtimi në Kosovë“, në të cilin ai flet për demokracinë, korrupsionin dhe Bashkimin Evropian në Kosovë.

Me këtë rast, para një audience të përbërë nga personalitete politike e letrare, autori tha se cilësia e demokracisë në Kosovë ka rënë pas shpalljes së pavarësisë. Ndërsa, për Kosovën e para vitit 2007 tha se ishte në gjendje koloniale.

“Mendoj se çka ju duhet të bëni është të pranoni gjërat e gabuara në Kosovë. Nëse nuk pranoni gjërat të cila kanë shkuar keq, ju nuk do të përmirësoni ato”, ka thënë Capussela.

Ai shtoi se nga kjo situatë politike e cila është duke mbizotëruar në Kosovë po përfitojnë vetëm një pakicë e vogël. “Nga situata aktuale po përfiton një pakicë e vogël: ministra, kushërinjtë, sipërmarrësit”, shtoi ai.

Ai shton se ka shkuar një kohë deri sa e ka kuptuar se cilat ishin çështjet reale në Kosovë.

Kryetari I Prishtinës, Shpend Ahmeti, kërkoi që të marrë një shpjegim sa i përket korrupsionit për të cilin autori flet goxha shumë në librin e tij.

Ai iu drejtua Capusselas se në libër më shumë është përqendruar në drejtësi si themel i funksionimit të shoqërisë dhe jo në atë që thotë teoria e drejtësisë.

Ahmeti vlerësoi se shqiptarët nuk janë të korruptuar. “Korrupsioni nuk është kulturore për mua. Ne nuk jemi të korruptuar sepse ne jemi shqiptarë, por mjedisi është bërë për korrupsionin”, ka thënë Ahmeti.

Nëse ka diçka që ka bërë mirë sa ka punuar në Kosovë Andrea Capussela përmendi faktin se ka shkruar Ligjin e ri për privatizimin e kompanive të mëdha.