Lëvizja Vetëvendosje Bën Thirrje për Mendje të Kthjellët

Vetëvendosja reagoi pas incidentit mes deputetëve Frashër Krasniqi e Milaim Zeka në debatin e zhvilluar sot në studiot e Klan Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje shpreh keqardhjen për atë që ka ndodhur në emision dhe u bën thirrje të gjithëve për qetësi e mmendje të kthjellët”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Por ky subjekt konstatoi se “Frashër Krasniqit iu bë e pamundur të diskutojë me Milaim Zekën në Klan Kosova për shkak të akuzave të rënda e shpifjeve nga më të ulëtat”.

Në debatin e sotëm mes Frashër Krasniqit e Milaim Zekës të shoqëruar me fyerje të dyanshme e polemika, sipas pamjeve, gjërat eskaluan kur Krasniqi hodhi ujë drejt Zekës, ndërsa më pas Zeka ia ktheu në të njëjtën mënyrë.

Pastaj në një moment Krasniqi u pa të ngrihet nga karrigia e studios për të nisur sulmin fizik ndaj Zekës.

Më pas Krasniqi nuk pranoi të kthehet në studio për ta sqaruar incidentin, ndërsa Milaim Zeka tha në Klan Kosova se Krasniqi erdhi në emision për t’u përleshur me të.

Vetëvendosja në reagim e mohoi këtë gjë.

“Është krejtësisht manipulative shpifja e fundit e Milaim Zekës se Frashër Krasniqi ka vajtur në emision për t’u përleshur me të”, sqarohet në reagim.

Keqardhje për incidentin e sotëm shprehu edhe vetë Frashër Krasniqi që në Facebook shkroi se “nuk do të dëshiroja që çështjet politike të zgjidhen në këtë mënyrë”.

http://kallxo.com/frasher-krasniqi-shpreh-keqardhje-per-incidentin/

Vetëvendosje në reagim konsideroi se Qeveria e Kosovës në deklaratën e saj për incidentin e deputetëve “foli me gjuhe represive”.

“Me të njëjtën gjuhë respresive ka folur së fundmi për këtë ngjarje edhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Dhuna verbale e pushtetit ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë përherë pararendëse e dhunës përmes represionit policor”, vijon reagimi i LVV-së.

Qeveria sot teksa kërkoi hetim të paanshëm të incidentit, tha se  “dënon ashpër këtë akt të shëmtuar i cili ashiqare dëshmoi agresionin e pashembullt të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Frashër Krasniqi ndaj Milaim Zekës, po ashtu deputet i Kuvendit të Kosovës”.