Shtëpia e Aleksandër Lumezit | Foto: KALLXO.com

Leutrim Kaqiu Pranon Fajësinë për Vjedhje në Shtëpinë e Kryeprokurorit

Kanë dalë para gjykatës të akuzuarit për vjedhjen në shtëpinë e kryeprokurorit të shtetit si dhe kryerjen e një numri të madh të veprave penale të ngjashme.

I akuzuari Leutrim Kaqiu gjatë deklarimit të tij pranoi fajësinë për vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi.

Kaqiu e pranoi edhe vjedhjen e një automjeti në një rast tjetër, ndërsa i kundërshtoi akuzat tjera të ngritura ndaj tij.

Dy të akuzuarit tjerë Mehmet Morina dhe Nazmi Gashi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Morina e Gashi ishin në paraburgim për disa muaj dhe me propozimin e mbrojtësve dhe me pajtimin e prokurorit, gjykata ua zëvendësoi masën e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.

Leutrim Kaqiu akuzohet nga prokuroria se së bashku me të dyshuarin Armend Morina, i cili gjendet në arrati, të pajisur me maska dhe me armë zjarri, me qëllim të përvetësimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Aleksandër Lumezi.

Sipas aktakuzës, Kaqiu e Morina kanë depërtuar me forcë nga pjesa e pasme e shtëpisë, duke hyrë brenda në katin e parë të saj, teksa familja Lumezi ishte duke fjetur në katin e dytë.

Kaqiu e Morina akuzohen se kanë marrë një telefon të markës “ Samsung” në shtëpinë e kryeprokurorit me ç’rast kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë dhe mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve.

Po ashtu Kaqiu akuzohet edhe për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

Mehmet Morina akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale, pasi ngarkohet se me veturën e tij i ka dërguar të pandehurit te shtëpia e kryeprokurorit Lumezi, ndërsa më pas ka bërë roje nga një pozicion ku shihej shtëpia.

Nazmi Gashi akuzohet nga prokuroria se nga i pandehuri Leutrim Kaqiu kishte blerë telefonin e vjedhur me vetëdije dhe pasi që e ka kuptuar se telefoni është I kryeprokurorit të njëjtin e ka asgjësuar.

Gashi akuzohet për pranim ose fshehje e sendeve të fituara me vepër penale dhe asgjësim i pasurisë.

Kaqiu, Morina e Gashi akuzohen edhe për disa vjedhje të kryera në periudha të ndryshme.

Fillimisht, më 02.10.2016, të pajisur me maska dhe me armë në mënyrë që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë vjedhur makinën e tipit “Golf VII”.

Me datën 07.11.2016 të pandehurit kanë hyrë me forcë të pajisur me maska dhe armë zjarri, në autosallonin “Sherreti” kanë arritur t’i marrin veturat “ Mercedes ML “ dhe “Rage Rover”.

Me datën 14.11.2016 në mënyre të njëjtë kanë hyrë në shtëpinë e Dardan Krasniqit dhe kanë arritur të vjedhin automjetin “ Mercedes GLK “.

Më datën 26.11.2016 të pajisur me maska dhe armë zjarri kanë hyre në shtëpinë e Hikmet Ukaj dhe kanë vjedhur automjetin e llojit “BMW X6”, më ç ‘rast të tre po akuzohen për veprat penale vjedhje e rendë dhe mbajtja në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve.

Seanca e radhës mbahet gjatë muajit korrik.

Aktakuza ndaj Kaqiut, Morinës e Gashit për vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi u ngrit më 2 qershor.

http://kallxo.com/aktakuze-per-vjedhjen-ne-shtepine-e-kryeprokurorit-lumezi/