Pal Lekaj - Foto: Facebook

Lekaj: Lirimi i Haradinajt Dëshmon Luftën e Pastër

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, pas vendimit të gjykatës në Colmar të Francës për lirimin e Ramush Haradinajt doli para gazetarëve për të thënë se vendimi i sotëm dëshmon se UÇK-ja ka luftuar pastër.

“Një e mirë për shtetin e Kosovës dhe për ushtrinë e Kosovës UÇK që ka luftuar dhe ka bërë luftë të pastër dhe këtë e dëshmoi komandant Haradinaj”, tha Lekaj.

Edhe Presidenti Thaçi në një reagim në Facebook, lirimin e Haradinajt e cilësoi lajm të mirë për familjen, miqtë e Haradinajt dhe Kosovën.

Thaçi tha se shpifjet kundër UÇK-së nuk u përfillën nga bota demokratike.

“Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”, shkroi Thaçi.

Edhe Pal Lekaj tha sw drejtësia ka triumfuar dhe Haradinajn e presin punë dhe përgjegjësi të mëdha.

“Më në fund triumfoi drejtësia, Haradinaj do t’i kthehet familjes, Kosovës edhe e presin shumë punë për të marrë përgjegjësi”, shtoi ai.

Sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së, ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë ishte i padrejtë.

Haradinaj u ndalua nga autoritetet e Francës më 4 janar në bazë të një fletarrestimi të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

Ai qëndroi në këtë shtet deri sot, pasi nuk kishte të drejtë ta lëshojë Francën derisa të merrej vendimi për kërkesën ekstraduese të Serbisë.