Ilustrim nga Pixabay

Legjitimiteti Politik në Kohën e Krizës Europiane

Misionet ndërkombëtare dhe politikanët e pasluftës në Kosovë kanë përdorë levën e projektit të integrimit në Bashkimin Europian për të legjitimuar pushtetin e tyre. Anëtarësimi në këtë bashkësi shtetesh u bë ideali kah synon shteti i ri, së paku në nivel retorike. Dështimet dhe mospuna e qeverisë si dhe papërgjegjësia e politikanëve u kompensuan me premtime për integrim në Bashkimin Europian.

Mirëpo, kur rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit europian është i pasigurt dhe kur vetë ideja e Europës së bashkuar po kalon nëpër një krizë që po e vë në dyshim këtë ndërmarrje, çfarë do ta zëvendësojë këtë bazë të pashpresë legjitimuese dhe si do të legjitimohen politikanët e politikat e ardhshme në shoqëri, është një çështje që bart edhe rrezik për të ardhmen e shoqërisë dhe shtetit.

Integrimi europian si ideologji legjitimuese

Kur administrata e përkohshme Kombeve të Bashkuara u vendos në Kosovë (UNMIK-u), që në të vërtetë ishte qeveri jodemokratike ndërkombëtare, nuk dihej se çfarë të bëhej me vendin. Shqiptarët kërkonin statusin e shtetit. Serbët donin të qëndronin në Serbi. Për vite me radhë çështja e zgjidhjes së statusit u shty.

Administrimi ndërkombëtar i Kosovës kishte vështirësi të legjitimohej në kontekst të këtyre aspiratave të kundërta të forcave politike vendëse për të marrë kompetencat e udhëheqjes së shoqërisë drejt shtetit të pavarur, në njërën anë, si dhe të vazhdimit të sovranitetit serb, nga ana tjetër.

Por, që një vend të qeverisej në mënyrë jodemokratike nga një mision i Kombeve të Bashkuara, duhej të kishte një arsyetim të pranuar si për shoqërinë e qeverisur, ashtu edhe për kontekstin politik bashkëkohor ndërkombëtar.

Kështu, qasja më ndërhyrëse e “bashkësisë ndërkombëtare” në rajon, më në fund, siguroi një burim të legjitimitetit të misioneve mbikëqyrëse e administruese ndërkombëtare në vend.

Ndonëse, shpallja e shtetit të pavarur, më në fund, u lejua, shteti i ri “sui-generis” duhej të mbikëqyrej nga të jashtmit, sepse shoqërisë së përçarë kosovare nuk i besohej ndërtimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Sidoqoftë, legjitimiteti nuk do të vijë nga një përpjekje për të angazhuar apo përfshirë popullin e Kosovës si entitet konstitutiv, por nga premtimet për të çuar një shtet të ri e të varfër me plot të meta në sundimin e ligjit dhe shtetësi të papranuar tek stacioni i fundit përmes integrimit në grupin e shteteve të Bashkimit Europian.

Kështu, u krijua edhe një mision për të udhëhequr shtetin drejt kësaj utopie, kësaj radhe i Bashkimit Europian, EULEX-i. Këtë narrativ legjitimues të pushtetit të jashtëm e miratuan edhe politikanët vendës për të legjitimuar veten dhe politikat e tyre. Si rezultat u krijua një ministri, e shumë dikastere qeveritare qendrore e lokale që do ta mundësonin këtë rrugëtim të Kosovës.

Mirëpo, njerëzit kishin brenga të tjera të ngutshme, e shteti plotë probleme me fqinj e me pranimin e vet si anëtar i respektuar jo vetëm në rruzullin mbarë, por edhe në vetë bashkësinë me të cilën po synonte të përafrohej, pra në Bashkimin Europian.

Andaj, kjo ndërmarrje e pasigurtë duhej të vishej me një petk ideologjik për të fshehur e maskuar paaftësinë e EULEX-it dhe politikanëve për të realizuar utopinë, por edhe pasigurinë e vetë projektit të integrimit europian.

Si rezultat, bashkë me krijimin e infrastrukturës së integrimit në Bashkimin Europian, mori formë edhe një sistem ideologjik që kishte për qëllim t’ia shiste këtë ndërmarrje politike popullatës së dëshpëruar dhe të dërrmuar nga papunësia, varfëria, ngecja arsimore e kulturore, e prapambeturia materiale e shpirtërore.

Të gjitha këto shqetësime të përditshme të njerëzve e probleme të shtetit u heshtën, u shtynë ose së paku u lanë nën hijen e “rrugëtimit legjendar” të vendit drejt utopisë europiane që e “kishim më afër se kurrë”. Ideologjia e integrimit në BE përhapej përmes mekanizmash të shumtë propagandistikë në shoqërinë civile, në institucionet e arsimit dhe kulturës, si dhe nëpër shtëpitë private.

Alternativa e padëshirueshme

Por, fuqia e kësaj ideologjie po zbehet tani nga realiteti në të cilin ideja e Bashkimit Europian si një grupim mbikombëtar i shteteve po sfidohet tashmë jo vetëm nga parti e lëvizje euroskeptike brenda BE-së, por edhe nga dalja e Britanisë së Madhe si shtetit më të zhvilluar politikisht dhe ekonomikisht.

Cila është baza legjitimuese kur jemi ende larg integrimit në Bashkimit Europian dhe kur vetë e ardhmja e saj është e pasigurt? Si do të ndikonte humbja e kësaj baze legjitimuese në të ardhmen e konsensusit të synuar shoqëror dhe demokracisë ende të parealizuar në shtetin tonë?

Regjimet autoritare që po zhvillohen përreth nesh e që nuk mund të mos ndikojnë edhe në shoqërinë e shtetin tonë: në shtetet fqinje; në Turqi si një shtet partner, dhe me ndikim në rajon, njëherazi një partner strategjik për Perëndim; si edhe në disa shtete të Europës, duket se ofrojnë një alternativë.

Ajo është alternativë e padëshirueshme, gjithsesi. Por, përderisa shteti dhe pushteti vendës e ndërkombëtar kanë probleme të legjitimohen në shoqëri, e sidomos tani kur kriza e Europës së Bashkuar na e ka çorientuar busullën, na duhet të marrim seriozisht mundësinë që shoqëria të kërkojë baza autoritare për të legjitimuar qeveritë e politikat e ardhshme.