Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: S’ka Asnjë Mundësi Koalicioni me PAN

“Deklarimet e z.Haradinaj se do të bisedojë për koalicion me LDK-në, janë në kundërshtim të plotë me qëndrimin e të gjitha strukturave të LDK-së, partnerëve të saj dhe elektoratit tonë, i cili më 11 qershor me votë plebishitare vendosi për ta dërguar PDK-në në opozitë”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Sipas kësaj komunikate, koalicioni përjashton çdo mundësi bashkëpunimi dhe nuk ulet për diskutuar me askënd që ka për qëllim ta mbajë PDK-në në pushtet.

“Insistimi i çdokujt për të bashkëpunuar me LDK-në, për t’ia zgjatur pushtetin kapësve të shtetit nuk do të vije në konsiderim asnjëherë”, thuhet më tej në të.

“Z. Haradinaj thirret në bashkëpunimin me LDK-në në kohën e Presidentit Rugova, por ai bashkëpunim kishte një qëllim tjetër, dërgimin e PDK-së në opozitë, ndërsa tani Haradinaj kërkon bashkëpunim me LDK-në për ta mbajtur PDK-në në pushtet”, vazhdon komunikata.

“LDK i qëndron prapa vendimit të koalicionit të djathtë se nuk ulet për të biseduar për koalicion eventual me PDK-në dhe as me partnerët e saj dhe e konsideron të kotë dhe tendencioz çdo deklarim të çdokujt për mundësinë e përfshirjes së LDK-së në ndonjë formulë qeverisëse me PDK-në”, shton komunikata e dërguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni i drejtuar nga LDK ka dalë i treti.

Sipas rezultateve të KQZ-së pas numërimit të 99,88 për qind të votave, ky koalicion ka fituar 25.79 për qind të votave, duke u radhitur pas Lëvizjes Vetëvendosje që ka fituar 27,16 për qind të votave dhe koalicionit PDK-AAK-Nisma që ka dalë i pari me 33.92 për qind.