Foto: Atdhe Mulla

LDK, Shpenzoi më së Shumti në Zgjedhjet e Qershorit

Raporti i publikuar nga Demokracia në Veprim “Monitorimi i Mediave Gjatë Fushatës Zgjedhore” në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës tregon se mbulimin më të madh medial e ka pasur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Nga rreth 18 orë e gjysmë kronikë zgjedhore të dedikuar në 10 ditëshin e fushatës, televizionet kanë mbuluar më së shumti LDK-në me 28.9%, pasuar nga VV me 23.7%, ndërsa AAK dhe PDK kanë pasur më pak mbulueshmëri me 16.3% dhe 14.6% rrespektivisht.

Sipas raportit prej kandidatëve për kryeministër nga të tri partitë/koalicionet e mëdha, Avdullah Hoti ka pasur më së shumti mbulueshmëri.

“Avdullah Hoti ka pasur më së shumti me 12.8%, pastaj Albin Kurti me 11.35% dhe Ramush Haradinaj me 10.63%”, thuhet në raportin e publikuar nga Demokracia në Veprim.

Kurse sa i përket aspektit gjinor, ka pasur mbulueshmëri shumë më të vogël të kandidateve gra për deputete.

“Nga 1006 kronika për parti, 93 prej tyre kanë pasur mbulueshmëri për gra, dhe 913 për burra” thuhet në raport.

Në raportin e tyre “Demokracia në Veprim” ka sjellur edhe të dhëna për gazetat e monitoruara në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit 2017. Në bazë të fjalëve të dedikuara për kandidat, LDK ka pasur më shumë mbulueshmëri në krahasim me partitë e tjera.

“LDK prinë me 39%, pasuar nga LVV me 23.5%, AAK me 15.4% dhe PDK me 14.6%. Të gjitha tjerat kanë më pak se 5%”, shpjegon raporti i Demokracisë në Veprim.

Edhe në gazeta ka pasur mbulueshmëri shumë të vogël të grave kandidate për deputete.

“Me rreth 13% mbulueshmëri gratë kandidate për deputete në krahasim me 87% të burrave kandidat shfaqin këtë dallim të madh”, thuhet në raport.

Ky raport është si rezultat i monitorimit të televizioneve, RTK, KTV, RTV21, Klan Kosova, RTK 2 nga 31 maji deri më 11 qershor 2017, prej orës 16:30 deri më 23:30. Poashtu janë monitoruar edhe mediumet e shkruara, Koha Ditore, ZËRI, Epoka e Re, Bota Sot, Kosova Sot, Alo, B92, Blic, KIM, KontaktPlus, Kurir, Novosti, Politika, RTK Live, RTV Puls. Mediumet televizive dhe ato të shkruara janë analizuar në bazë të asaj se sa kanë pasur analiza, artikuj informative, reklama dhe intervista.