Presidenti Thaçi gjatë vizitës në shkollën e Burojës. Foto: Hashim Thaçi/Facebook

LDK Reagon ndaj ‘Fushatës’ të Presidentit Nëpër Shkolla

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar shkollën fillore “Abedin Rexha” në Burojë të Komunës së Skenderajit.

Nëpërmjet Facebook-ut ai tha se kjo vizitë është bërë për t’iu uruar nxënësve dhe arsimtarëve atje përfundimin e vitit shkollor, pavarësisht se deri në fund të vitit kanë mbetur edhe katër javë.

“Nxënësit dhe arsimtarët i urova për përfundimin me sukses të vitit shkollor 2016/17.Vetëm me një edukim cilësor hapim rrugë për zhvillim ekonomik të vendit tone”, tha Thaçi.

Kjo vizitë e Thaçit shkaktoi një varg reagimesh nga partitë politike në Kosovë që po e akuzojnë se po përfshihet në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Por Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vizitës së sotme të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një shkollë fillore në Skenderaj.

Sipas LDK-së , kjo vizitë u bë për të ndihmuar të ashtuquajturin ‘koalicion të mesnatës’, në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

“Nisja e turneut të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nëpër shkolla të ndryshme, gjoja për t’i vizituar nxënësit dhe mësimdhënësit, janë përpjekje e tij për t’i dalë në ndihmë fushatës së koalicionit të mesnatës, për krijimin e të cilit, një rol të rëndësishëm ka luajtur ai”, thuhet në komunikatë të LDK-së.

Ata kanë bërë thirrje që të mos bëhet shkelje kushtetuese nga Presidenti Thaçi sepse përndryshe ata do ta adresojnë një shkelje të tillë në Gjykatë Kushtetuese.

“Për të mos e degraduar tërësisht këtë institucion, i kërkojmë Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të heqë dorë nga turneu i tij parazgjedhor nëpër shkollat e Kosovës. Këtë kërkesë e bëjmë për të evituar shkeljen kushtetuese, të cilën do të ishim të detyruar ta adresonim”, paralajmëron ky subjekt politik.

Sipas LDK-së, qëllimi i proklamuar i Thaçit se ka për qëllim të vizitojë nxënësit dhe mësimdhënësit është një farsë.

“Më shumë sesa për fushatën e tij mbështetëse ndaj koalicionit të mesnatës, mësimdhënësit kanë nevojë të përqendrohen në përmbylljen me sukses të vitit shkollor. Ne ju bëjmë thirrje oponentëve tanë politikë, duke përfshirë edhe Thaçi si i rreshtuar kah koalicioni i mesnatës, që të mos keqpërdorin taksat e qytetarëve për qëllime elektorale.Në programin tonë për arsimin, ne ofrojmë zgjidhjen për rritjen e cilësisë së arsimit dhe garantojmë se rezultatet e testit PISA do t’i takojnë të kaluarës”, përfundon reagimi.

KALLXO.com ka raportuar mbi reagimet e të gjitha partive për këtë vizitë të Thaçit.

Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi për KALLXO.com se nëse Thaçi bën fushatë ata do ta denoncojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Hashim Thaçi para se të bëhej President i Republikës së Kosovës, ai ishte Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës.

http://kallxo.com/derguti-nese-thaci-ben-fushate-ta-dergojme-ne-kushtetuese/