LDK Nis Mbledhjen me Plot Telashe

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë mbledhur sot në një restoran në Prishtinë.

Por telashet i kanë paraprirë kësaj mbledhjeje në të cilën kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, nuk është lejuar të hyjë brenda për të marrë pjesë në mbledhje.

Ajo është penguar dhe është tërhequr nga sigurimi.

Ndalimi i pjesëmarrjes për Gërvallen ka shkaktuar edhe reagimin e deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo është larguar nga mbledhja në shenjë mospajtimi për mënyrën se si është trajtuar Donika Gërvalla.

Madje Osmani ka paralajmëruar padi ndaj personave të sigurimit për trajtimin e koleges së saj.

Ndërsa Donika Gërvalla, e cila i ka rezistuar një kohë vendimit për të mos e lejuar të hyjë brenda, e ka akuzuar kryesinë e LDK-së.

Duke qenë kryetare e një dege të partisë, Gërvalla pretendon se ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së edhe pa qenë anëtare e saj.

Ajo tha se ka shumë pjesëmarrës në këtë cilësi në mbledhjen e sotme.

Edhe mediat nuk janë lejuar të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm.

Por KALLXO.com merr vesh se në fillim, ish- kryetari LDK-së, Fatmir Sejdiu ka kritikuar kryetarin aktual Isa Mustafa dhe kryesinë e partisë.

“Merruni me tema serioze të cilat ndihmojnë rritjen e LDK-së sepse sondazhet po na tregojnë çdo ditë se ku ka rënë LDK”, ka thënë Sejdiu.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Sejdiu është shprehur se këto tema “ka qenë dashur që të sillen në forume të partisë për t’u diskutuar.

Sejdiu ka pasur vërejtje edhe në rendin e ditës kur ka thënë që diskutimi në të i raporti të punës dhe atij financiar të kryesisë së kaluar “tregon që Kuvendi i kaluar ka qenë i parregullt”.

Në rend të ditës së mbledhjes së sotme janë orientimet programore të LDK-së, shqyrtimi i propozimeve për ndryshime në Statut të partisë, shqyrtimi i raportit të punës dhe atij financiar, si dhe prezantimi i strategjisë së komunikimit të LDK-së.

Rendi i ditës i mbledhjes së Kvshillit të Përgjithshëm të LDK-së
Rendi i ditës i mbledhjes së Kvshillit të Përgjithshëm të LDK-së