Kusari-Lila kur nënshkroi koalicionin me LDK-në

LDK në Koalicion Parazgjedhor me Dy Subjekte Politike

Në një konferencë për gazetarë, Mustafa tha se është në bisedime edhe me Aleancën Kosova e Re, bisedime këto të cilat mund të dërgojnë në një koalicion të mundshëm me këtë të fundit gjatë mbrëmjes.

Mimoza Kusari Lila, tha se vendimi erdhi pas si subjekt i ri politik ka nevojë për mbështetje dhe në zgjedhjet e 11 qershorit do të hyjnë bashkë me LDK-në.

“Ne si subjekti më i ri politik në Kosovë gjatë shqyrtimit të mundësive tona të garimit të zgjedhjeve të 11 qershorit kemi vendosur që me LDK në zgjedhjet e 11 qershorit të hyjmë bashkërisht”, tha Kusari- Lila.

Ajo shtoi se marrëveshja me LDK-në është e bazuar në parimet qeverisëse.

“Kjo marrëveshje që nënshkruam sot është e bazuar në parimet qeverisëse dhe udhëheqëse”, shtoi ajo.

Kryeministri në largim, Isa Mustafa tha se ndjehet mirë kur ndajnë me subjekte të tjera politike synimet për një shtet dhe një qeverisje të mirë.

“Ndjehem mirë kur ne ndajmë preokupimet synimet aspiratat e përbashkëta në këto fusha dhe fushat e tjera që po krijojmë një qeveri në të ardhmen”, tha Mustafa.

Ilir Deda tha se koalicioni me LDK-në ishte i lehtë për t’u arritur.

“Është shumë me rëndësi që po krijohet një bllok i gjerë politik e shoqëror që ka me i dhënë fund qeverisjes së PDK-së. Është bllok i gjerë politik i cili do të jetë fitues në zgjedhje”, tha Deda.

“Ky koalicion në nivel të programit ka qenë shumë i lehtë për me u marr vesh”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me një koalicion të mundshëm me AKR-në, Mustafa tha se për qytetarët e Kosovës do të ishte mundësi e mirë një bashkëpunim i tillë.

“Unë mendoj se është në interes të vendit që të bëhet një koalicion i tillë. Edhe me AKR-në kemi hapësirë të gjerë që të punojmë në fushën e zhvillimit ekonomik në rend të parë në fushat e tjera. AKR nuk ka më të mirë në aspektet e fushave të caktuara. Presim nga AKR edhe lidhjen e marrëveshjes”, tha Mustafa.

Sylejman Qerkezi, kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, tha se ka ngjashmëri në disa pika të programit të LDK-së dhe subjektit të tij të ri.

“Janë dy pika programore të cilat na lidhin me LDK-në. Pas kësaj marrëveshje besojmë thellë në llogaridhënien në emër të drejtësisë dhe këto janë ato që na bashkojnë në mënyrë që këtë rrugëtim ta kemi më të lehtë”, tha Qerkezi.