LDK kërkon përjashtimin e Xhavit Halitit nga seanca

Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, që ta përjashtojë nga seanca e sotme deputetin e PDK-së dhe nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Haliti, pas një përleshjeje fizike që ky i fundit kishte me deputetin e LDK-së, Arben Gashi.

Para se të fillojë raundi i dytë i votimit për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Hoti kërkoi nga Veseli që ta marrë masën e përjashtimin ndaj Halitit.

Në të kundërtën, Hoti paralajmëroi largimin e grupit parlamentar të LDK-së nga seanca.

Por Veseli është munduar që ta tejkalojë këtë situatë.

“Duhet të jetë përgjegjësi në rend të parë e jona si grupe parlamentare edhe si deputetë. Me përjashtime frikësohem se nuk zgjidhim [unë, frikësohem mos e vështirësojmë situatën më shumë. Po mundohem ta tejkalojmë këtë situatë në aspektin human edhe institucional”, tha Veseli

“Qëndrimet e ashpra nuk prishin punë, por nuk është mirë në baza individuale e familjare të kalohet në fyerje”, shtoi ai.

Por Hoti, kur e mori fjalën për herë të dytë, nuk u tërhoq nga kërkesa.

http://kallxo.com/perleshje-mes-xhavit-halitit-e-arben-gashit-ne-kuvend/

“Në video shihet që deputeti Arbën Gashi është sulmuar nga Xhavit Haliti. Edhe ne jemi që të ulen gjakrat dhe seancat e radhë të zhvillohen më normalisht”, tha ai.

Kryeparlamentari insistoi që largimi eventual i halitit nga seanca “nuk na ndihmon”.

“Nëse insistoni mund të marr masa, por nuk besoj që i ndihmojmë zgjidhjes. Kisha kërku mirëkuptim e secilit prej jush që të vazhdojmë. Ka qëlluar që të jem kryetar i PDK por ju jap fjalën që nuk i mbaj anën asnjë partie”, tha ai.

Duke qenë se LDK nuk u tërhoq nga kërkesa, Veseli i ftoi shefat e grupeve parlamentare për një konsultë para se ta marrë vendimin.

“Ishte qëndrim unanim i grupeve parlamentare që qëndrimet politike të barten në mënyrë sa më dinjitoze dhe t’i largohemi çdo gjuhe apo veprimi që mund të ketë konotacion familjar, ndëretnik, religjioz”, tha Veseli pas konsultimeve.

“Sjelljet janë të papranueshme, qoftë gjuha fyese apo veprimet që mund të jenë cenuese. Ky ishte reagimi ynë por do të marrim edhe masa”, tha Veseli.