Konferenca e LDK-së | Foto: KALLXO.com

LDK-ja: Shumë Orë të Humbura në Shkollat e Prishtinës

Agim Gashi, shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës në një konferencë për gazetarë foli sot për orët e humbura të mësimit në shkollat e kryeqytetit.

“Bazuar ne të dhënat e drejtorisë se arsimit kanë humbur shume orë mësimi si rezultat i mungesave dhe si rezultat i lëvizjes së punëtorëve, pushimit të lehonisë, e të tjera, për të cilat drejtoria ka kompetenca,” tha Agim Gashi.

Ai përmendi konkretisht në konferencë orët e humbura mësimore në një shkollë të Prishtinës.

“Vetëm për një javë kanë humbur 20 orë mësimi në javë dhe 90 orë mësimi në muaj në Shkollën “Dardania” si rezultat i mungesave të arsimtarëve dhe komuna nuk merret me zëvendësimin,” tha më tutje Gashi.

Duke folur për akuzat e LDK-së në Prishtinë, drejtoresha e Arsimit Arbërie Nagavci tha se informohet vazhdimisht për punëtorët arsimorë që shkojnë në pushim të lehonisë ose që pensionohen

“Në kërkesën që ua kemi dërguar ne shkollave, kërkohen të dhënat prej shkollave për të gjithë punëtorët që dalin në pension ose në pushim të lehonisë deri në muajin qershor”, tha Nagavci për KALLXO.com.

Në konferencën për gazetarë kryeasamblisti i LDK-së Agim Gashi akuzoi komunën për punësime të aktivistëve të “Vetëvendosjes” në arsim.

Por këtyre akuzave të Gashit, Arbërie Nagavci iu përgjigj me fjalët se edhe Gashi ka punësuar njerëz të tij në shkolla, duke mos saktësuar se për kë saktësisht bëhet fjalë.

“Agim Gashi i ka më shumë se 6-7 kandidatë të afërm, familjarë që i ka dërguar në shkollë pa asnjë procedurë, veç ka thënë shko ti në këtë shkollë, pa konkurs, pa asgjë tjetër, e gjëra të tilla nuk mund të lejojmë në qeverisjen tonë,” tha Nagavci.

LDK-ja në Prishtinë më 4 shkurt e akuzoi pushtetin lokal të kryeqytetit për mosvazhdimin e mandatit drejtoreshave të institucioneve parashkollore.

http://kallxo.com/kryeasamblisti-ldk-se-nepotizem-ne-qeverine-e-prishtines/

Arbërie Nagavci në lidhje me punësimet në arsim tha për KALLXO.com se tash ka procedura pasi “nuk mundemi me i marrë njerëzit prej rrugës e me i dërgu në shkolla”.

KALLXO.com shkroi në dhjetor të 2016-ës se gjatë këtij viti nxënësit në shkollat e Prishtinës bënë 1 milion mungesa.

http://kallxo.com/nxenesit-e-prishtines-mbi-1-milion-mungesa/