Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK-ja refuzon bashkëpunimin me PAN-in

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen me kryetarë të Degëve. Në këtë mbledhje, sipas komunikatës për media, nuk është diskutuar fare për “qëndrimet” e deputetes së tyre, Teuta Rugova.

Kreun e LDK-së, Isa Mustafa thotë se ka marr garanci që deputetet e zgjedhur nuk do të tradhtojnë LDK-në.

“Kryetarët e Degëve të LDK-së diskutuan dhe përkrahën fuqishëm Kryetarin Dr. Isa Mustafa dhe Kryesinë e LDK-së në qëndrimet e partisë në raport me formimin e Qeverisë. Kryetarët e degëve siguruan Kryetarin Mustafa se deputetet e degëve përkatëse, janë unik dhe të bashkuar rreth qëndrimeve të LDK-së, dhe refuzimit të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN”, thuhet në komunikatët e LDK-së.

Në mbledhjen e sotme u diskutua rreth organizmit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor.

“Gjatë mbledhjes u diskutua rreth organizimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, përfshirë kriteret dhe orientimet rreth propozimeve për Kryetar të Komunave, për këshilltarë komunal si dhe programin të cilin LDK-ja do të ua ofron qytetarëve në zgjedhjet lokale”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Ndërsa gjatë ditëve në vijim LDK-ja do ti miratoj kriteret dhe propozimet për kandidatët për kryetar të komunave.