Stema e LDK-së - Foto: Facebook

LDK Ironizon me ‘Sondazhin e VV-së’

LDK-ja e kryeministrit Isa Mustafa ka ironizuar me të gjeturat e kompanisë “UBO Consulting”, e cila ditë më parë publikoi një sondazh që e rangonte atë në pozitën e tretë, prapa PDK-së që ishte e para dhe Lëvizjes Vetëvendosje që ishte e dyta.

Përmes një komunikate, LDK ka ironizuar duke thënë se e mirëpret këtë sondazh që është përgatitur në “zyrat plot armë dhe molotovë të VV-së”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret pranimin dhe pohimin e marrëdhënies klienteliste ndërmjet LVV-së dhe Kompanisë UBO Consulting e cila ka publikuar një sondazh të përgatitur dhe të hartuar në zyrat plot armë dhe molotovë të VV-së”, thuhet në komunikatë.

Madje, partia e drejtuar nga shefi i Qeverisë ka kërkuar që të bëhen publike shuma sa ka kushtuar ky shërbim dhe kush e ka porositur atë.

“Për hirë të transparencës dhe mënjanimit të mashtrimit të publikut, praktikë kjo e përditshme e LVV-së, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që të bëhen publike informacionet se sa ka qenë kostoja e këtij shërbimi, kush janë porositësit e tjerë, nga cilat burime financiare është bërë porosia e sondazhit dhe në cilën adresë biznesore është bërë ky transaksion”, vazhdon LDK-ja, e cila shpreson se me përgjigjet në këto pytje do të sqaroheshin mashtrimet e porositura.

Sipas LDK-së, sondazhet kredibile e nxjerrin LDK-në në pozita tejet të favorshme, me një mbështetje në rritje.

Në përmbyllje të komunikatës, LDK e ka cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje si një sekt politik që hedh molotov mbi policinë, qytetarët e insititucionet publike.

LDK shkon deri atje sa akuzojnë Vetëvendosjen se po i sulmon insitucionet edhe me “armë të rënda luftarake”, duke aluduar me sulmin e 3 gushtit ndaj Kuvendit të Kosovës, për çfarë 6 aktivistë të VV-së po përballen me akuzën e sulmit terrorist.

http://kallxo.com/publikohen-emrat-e-te-arrestuarve-per-bomben-ne-kuvend/

“Qytetarët e Kosovës nuk përkrahin sekte politike që hedhin molotovë mbi policë, qytetarë, institucione publike dhe shtëpi private, njerëz që sulmojnë institucionet me armë të rënda luftarake, subjekte që mbushin selinë me armë zjarri, lëndë narkotike, maska për kryerje të veprimeve kriminale e lëndë djegëse, që sulmojnë përfaqësuesit diplomatikë, njerëzit që i kanë dyert e mbyllura dhe janë “persona non grata” në të gjitha shtetet perëndimore, njerëz që bëjnë thirrje për ekzekutime publike, për kaos, anarki e vrasje”,  e ka përfunduar komunikatën e saj LDK-ja.