Kryetari aktual i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, Foto: Facebook

LDK e PDK kritikojnë kryetarin e Kamenicës

Dega e LDK-së dhe PDK-së në Kamenicë kanë reaguar pas emërimit të Nol Nushit shef të kabinetit të Komunës së Kamenicës nga kryetari Qëndron Kastrati.

Dy partitë opozitarë në Kamenicë vlerësuan se emërimi i Nushit, është fyerje e potencialit të të rinjve të kësaj komune.

“Një kryetar nga Prishtina, me shef të kabinetit nga Gjakova, me drejtor nga Gjilani, të cilët nuk kanë përgatitjen profesionale, edukative dhe nuk i njohin problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë të qeverisin Komunën e Kamenicës është shqetësim jo vetëm për LDK-në, por edhe për gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

LDK- Dega në Kamenicë ka shprehur keqardhjen për nxitimin dhe besimin që qytetarët e komunës së Kamenicës i dhanë një subjekti politik, e që sipas LDK-së, erdhi në pushtet me metoda jodemokratike.

Sipas LDK-së, kryetari aktual i Kamenicës Qëndron Kastrati ka injoruar potencialin e kuadrove të kësaj komune. Kjo parti i bën thirrje Kastratit ta ndalë “këtë praktikë fyese ndaj qytetarëve”.

Për emërimin e Nol Nushit si shef të kabinetit të kryetarit në Komunën e  Kamenicës ka reaguar edhe dega e PDK-së në këtë qytet.

Në reagimin e Degës së PDK-së në Kamenicë thuhet se nuk kanë asgjë kundër Nol Nushit, por konsiderojnë se ky vendim konfirmon mosvlerësimin e kryetarit të Komunës për qindra-mijëra qytetarë të mirëshkolluar të Komunës së Kamenicës.

“Dega e PDK-së në Kamenicë, konsideron se emërimi në pozita të larta në Komunën tonë, i njerëzve që nuk e njohin fare qytetin, është tregues i qartë se qeverisja aktuale nuk e ka aspak prioritet zgjidhjen e problemeve në Komunë, por vetëm rehatimin e dostave dhe militantëve ngado që ata vijnë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Dega e PDK-së në Kamenicë fton kryetarin e Komunës që të reflektojë seriozitet në punën e tij.

“Nëse edhe më tutje e tregon këtë qasje fyese dhe këtë mospunë, ne e ftojmë kryetarin e Komunës që ta lirojë detyrën dhe të kthehet nga ku ka ardhur, në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com ka raportuar rreth emërimit të Nol Nushit shef të kabinetit të kryetarit të Komunës së Kamenicës.

http://kallxo.com/edhe-asamblist-ne-prishtine-edhe-shef-i-kabinetit-te-kryetarit-ne-kamenice/