Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Foto: LDK

LDK Diskuton Balotazhet, Prioritet Prishtina

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka diskutuar për zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën e kaluar dhe garën e kandidatëve të kësaj partie në balotazh katër javë më pas.

Kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa, pas takimit, bëri të ditur se gjatë kësaj jave janë mbajtur takime me strukturat e LDK-së, është mbajtur mbledhja me Kryesinë e LDK-së dhe me kandidatët për kryetarë të komunave të LDK-së në balotazh.

Ai bëri të ditur se gjatë këtyre takimeve është biseduar për përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, duke angazhuar kështu tërë potencialin e LDK-së duke filluar nga Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, deputetët dhe të gjithë kryetarët e degëve që nuk do të jenë në garën për raundin e dytë.

“Besojmë që me një punë të ngjeshur, me solidarizim të brendshëm dhe rritje të kohezionit, do të arrijmë që edhe 10 komunat që jemi në balotazh t’i fitojmë, me objektiv kryesor ta fitojmë dhe rikthejmë kryeqytetin tonë, Prishtinën. Po ashtu kemi vlerësuar që Prishtinën mund ta rikthejmë por që duhet të punojmë me qytetarë edhe më tutje, t’i bindim se të gjitha premtimet e kandidatit Abrashi janë premtime që mund të realizohen, mund të realizohet edhe jashtë atyre premtimeve, dhe që ne t’i japim përgjegjësi qytetarëve për punën tonë”, ka thënë kryetari Mustafa.

Kryetari Mustafa tha se është vlerësuar se në Gjilan, në Podujevë dhe në Istog, komuna të qeverisura deri më tani nga LDK-ja, situata është mjaft e mirë dhe se kandidatët e LDK-së kanë përparësi më të madhe ndaj kandidatëve tjerë.

“Orientimi ynë themelor është që ne të kemi koalicion me qytetarin, që ne të ju ofrojmë qytetarëve objektivat tona dhe strategjinë tonë lidhur me zhvillimin e atyre komunave dhe ta marrim votën që e meritojnë njerëzit tanë, për të ardhmen e popullit”, theksoi Mustafa.