Foto: Facebook

LDK Akuzon PDK-në për Pabesi

Për zhvillimet e sotme – rrëzimin e Qeverisë dhe shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, LDK vlerëson se janë veprime që janë udhëhequr me hipokrizi dhe pabesi nga PDK-ja e Kadri Veselit.

Nëpërmjet një komunikate, Zyra për Informim e LDK-së thotë se veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij në PDK, për të cilët thotë se janë të inkriminuar dhe me probleme të thella me ligjin.

“Këta sot u bashkuan për t’i dhënë fund Qeverisë që e çliroi shtetin nga kapja e gjithanshme, që i këputi fijet e krimit dhe të korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Kjo parti vlerëson se pas këtij veprimi të ish-partnerit qeverisës Marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe se ajo nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj.

LDK-ja rithekson përkushtimin e saj për të luftuar deri në fund krimin dhe korrupsionin në vend.

Për Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa LDK thotë se ishte shembull se si qeveriset me duar të pastra dhe se si punohet në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës nga “koalicioni i të inkriminuarve” rrezikon përfundimisht liberalizimin e vizave, proceset integruese euroatlantike, krijimin e Ushtrisë, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, thuhet po ashtu në komunikatë.

Lidhja Demokratike e Kosovës fton qytetarët që të vazhdojnë përkrahjen e tyre për të në mënyrë që në qeverisjen e ardhme, të udhëhequr nga LDK-ja, “të përmbyllet përfundimisht çkapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni”.

Reagimi i LDK-së vjen pas rrëzimit të Qeverisë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës përmes votimit të mocionit të votëbesimit.

http://kallxo.com/kuvendi-rrezoi-qeverine-mustafa/

Mocioni i votëbesimit ndaj Qeverisë ishte iniciuar nga partitë opozitare Nisma për Kosovën, AAK dhe Vetëvendosje.

Atë e përkrahën edhe deputetë të PDK-së, partisë me të cilën bashkëqeveriste LDK e Isa Mustafës.

Pak kohë pas rrëzimit të Qeverisë, Presidenti Hashim Thaçi ka vendosur shpërndarjen e Kuvendit.

http://kallxo.com/presidenti-shperben-kuvendin/