Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: 100 Ditët e Qeverisjes “më të Keqe” që nga Paslufta

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar rreth 100-ditëshit të qeverisjes së Ramush Haradinajt.

Kjo parti thotë se qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë të “qeverisjes më të keqe” që ka përjetuar vendi që nga paslufta.

“Vetëm për 100 ditë, Qeveria e udhëhequr formalisht nga Ramush Haradinaj, e ka dëmtuar rëndë politikisht, ekonomikisht dhe moralisht çdo aspekt që lidhet me qeverisjen e shtetit”, thekson LDK në një komunikatë.

“Pas 100 ditësh qeverisjeje kaotike, Kosova sot është më e izoluar, më varfër, me papunësi më të madhe, pa perspektivë, me nepotizëm ekstrem, me buxhet të shpërdoruar skajshëm, me keqpërdorime enorme, me qeveritarë që kërcënojnë institucionet e pavarura, me njerëz të inkriminuar të vendosur në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thuhet në komunikatë.

LDK thekson po ashtu se për njëqind ditë Qeveria Haradinaj u shqua me marrje të vendimeve jashtë kompetencave të Qeverisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, duke krijuar precedentë të rrezikshëm kushtetues dhe ligjor për të ardhmen e vendit.

Si shembuj për këtë, LDK përmend faljen e borxheve në kundërshtim me kompetencat e Qeverisë dhe dëmtimi i buxhetit të Republikës së Kosovës prej rreth 60 milionë euro (vetëm për dy muaj); ndarjen e mjeteve për rastin Kumanova në kundërshtim me Ligjin që ndalon bashkimin në konflikte jashtë shtetit, shkarkimin e bordeve që janë në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të vënë njerëzit e tij/tyre në këto pozita, ndarjen e mjeteve nga rezerva buxhetore pa asnjë kriter dhe pa përgjegjësi për paranë publike.

Sipas LDK-së, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës dështuan se në vend të Kushtetutës dhe ligjeve, sjelljet dhe vendimet e tyre i bazojnë në kanun dhe relikte të odave.