Largohen Pjesërisht Mbeturinat, Pas Raportimit të KALLXO.com

 

Organet Komunale të Klinës, menjëherë pas raportimit të Kallxo.com, për deponitë ilegale të mbeturinave në të ashtuquajturin ‘Parku i qytetit’, reaguan ditën e premte duke bërë largimin e tyre.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Klinës, Kolë Prenaj, tha për KALLXO.com përmes telefonit se mbeturinat janë larguar më 20 maj, dy ditë pasi që KALLXO.com kishte raportuar për prezencën e tyre.

http://kallxo.com/lufte-kompetencash-berlloku-mbulon-parkun-e-klines/

Prenaj theksoi se Drejtoria e Inspektoratit i kishte larguar mbeturinat në bashkëpunim me Kompaninë rajonale të pastrimit “Ambienti”.

Mirëpo ky largim siç duket nuk është bërë plotësisht dhe në mënyrën e duhur. Kjo për faktin se mbeturinat janë larguar vetëm në pjesën hyrëse të parkut, ndërsa në brendinë dhe fundin e tij, gjendja vazhdon të jetë e njëjtë.

Sipas Skënder Mërturit, asamblist i LVV-së në Kuvendin Komunal në Klinë, ky largim i mbeturinave është bërë në mënyrë sipërfaqësore.

Sipas Mërturit, Komuna e me shumë është e shqetësuar nga mediet dhe opinioni publik, sesa në zgjidhjen e vërtetë të problemeve .

“Janë punë shkel e shko në vende që frekuentohen apo vërehen nga kamera, gjoja se i kanë kryer punët ashtu siç duhet”, tha Mërturi.

Në anën tjetër, Tahir Morina, Menaxher i Kompanisë së Pastrimit “Ambienti”, thekson se parku është pastruar i gjithi mirëpo, sipas tij, qytetarët e pandërgjegjshëm janë përkujdesur ta vazhdojnë avazin e ndotjes.

“Të premten i kemi hequr mbeturinat brenda ditës, mirëpo brenda një ore qytetarët e pandershëm kanë hedhë material ndërtimor, dhe krejt aty është material ndërtimor dhe jo i amvisërisë”, tha Morina.

Morina i revoltuar thekson se kjo është hera e fundit qe Kompania ‘Ambienti’ i kryen favor komunës për heqjen e mbeturinave pa u paguar paraprakisht.

“Në të ardhmen pa e paguar lekun nuk ka asgjë. Ketë le ta dinë mire edhe Kryetari edhe pse këto përgjegjësi i kanë inspektorët komunalë dhe drejtoria e shërbimeve publike”, tha Morina.