Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, pas takimit me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme - Foto: KALLXO

Largimi i UNMIK-ut, i Vështirë

Pas një takimi që ka pasur me Komisionin parlamentar të Punëve të Jashtme, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë tha se puna dhe misioni i UNMIK-ut është vendim i Këshillit të Sigurimit dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu.

“Ne jemi këtu të ju ndihmojmë juve për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit do që ne të jemi këtu”, tha Zahir Tanin.

Ndërsa, pas takimit, anëtarja e Komisionit, Puhie Demaku, tha se janë diskutuar disa çështje.

“Nga ky takim kam ardhë në dy konkluzione: e para padobishmëria e këtyre misioneve në Kosovë, sidomos këto vite pas pavarësisë. Shqetësimi tjetër është ajo që ka ardhë nga MPJ të përmbyllet misioni i UNMIK-ut, por një gjë të tillë nuk mund ta bëjë Ministria e Punëve të Jashtme por vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së“, ka thënë ajo.

Ndërsa, Elmi Reçica, theksoi se UNMIK-u e ka atë rol çfarë e ka dhe në bazë të rezolutës 1244 i përgjigjet drejtpërdrejt sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.