Foto-ilustrim

Landovica Dy Ditë Pa Rrymë

“Të dielën prej orës 4:00 të mëngjesit kur e kanë ndalë deri në ora 13:30 nuk e kanë leshu. Të hënën diku te ora 7:30 ose 8:00 deri në ora 12:00 nuk e kanë leshu”, tha për KALLXO.com Halit Thaçi, banor i fshatit.

Ai tha se si pasojë e mungesës së rrymës kanë mbetur edhe pa ujë.

“Ata duhet me bo mend që na e nxjerrim ujin me rrymë prej tokës, me hidrofora”, tha ky banor i Landovicës.

Thaçi e pranon se për të dielën kishte dëgjuar që do ta ndalin rrymën por jo edhe për të hënën.

Ndërsa, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë për KALLXO.com se kjo ndërprerje e energjisë elektrike në fshatin Landovicë ka ndodhur për shkak të disa punimeve që janë bërë nga KOSTT-i.

“Ka patur ndërprerje për shkak të punimeve të planifikuara të KOSTT-it, pra ka qenë ndërprerje e planifikuar me kërkesë të kësaj kompanie, për të cilën është bërë informimi paraprak përmes mediave dhe formave tjera të komunikimit”, theksoi Buzhala.

Ai njoftoi se ky intervenim është tejkaluar dhe se konsumatorët sot janë duke u furnizuar me energji elektrike.