Dardan Molliqaj në Debat pernime. Foto: Atdhe Mulla

Lajmërohet Molliqaj: Ka Pasur Linçime e Shpifje Ndaj Meje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj është lajmëruar rreth një javë pas shpërthimit të problemeve në partinë e tij.

Ish-sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruar se këto ditë ka pasur shpifje e linçime ndaj tij pasi që aktivistët janë keqinformuar.

“Këto ditë, ju jeni keqinformuar shumë dhe janë bërë shumë shpifje në drejtim timin dhe shumë personaliteteve të Lëvizjes sonë. Janë bërë linçime e ”gjuajtje shtrigash””, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.

Ai ka njoftuar se sot do të jetë i ftuar në televizion “Klan Kosova” dhe se aty do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i kanë shkuar në adresë të tij këto ditë.

Molliqaj ka treguar arsyet e heshtjes së tij gjatë këtyre ditëve.

“Kam pranuar shumë mesazhe nga ju me shumë pyetje lidhur me situatën aktuale brenda Lëvizjes. Ju kërkoj falje të gjithëve që nuk ju kam kthyer përgjigje, por kjo ka ndodhur për shkak të kohës së limituar dhe angazhimit tim për ta tejkaluar këtë problem”, ka shkruar në mes tjerash ai.

Arsye tjetër e heshtjes së tij thotë se ka qenë edhe shkaku që Albin Kurti po mbahet në burg, por që situata e krijuar ia ka imponuar të deklarohet sot.

“Po ashtu, unë kam refuzuar të flas për këto çështje përderisa deputeti Albin Kurti mbahet padrejtësisht në burg. Por, situata në të cilën jemi tash, ma ka imponuar që të deklarohem dhe të ju drejtohem përmes mediave”, shton Molliqaj.

Ai ka shkruar se sot do t’i demantojë shpifjet dhe do ta sqarojë situatën në organizatën, që ai e ka quajtur organizatën tonë.

Dardan Molliqaj është akuzuar nga disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje së është personi kryesor për situatën e krijuar në Vetëvendosje.

Mbrëmë në një intervistë dhënë për një televizion në Kosovë, kreu i partisë, Visar Ymeri tregoi që Molliqaj kishte deklaruar se në rast të kandidimit të Albin Kurtit për kryetar të VV-së ai do të jepte dorëheqje.

Lëvizja ‘Tektonike’ e Vetëvendosjes

Sot në mëngjes në disa vende nëpër Prishtinë janë vërejtur grafitë me mbishkrimin, ‘S’ka Babë, ka Ide’, duke aluduar kështu në idenë se Kurti po cilësohet si baba i Vetëvendosjes.