Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, FOTO: KALLXO.com

Presidentja Osmani flet për sfidat e Kosovës në sektorin e energjisë dhe mjedisit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në diskutimin e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – “Ditët e energjisë së gjelbër 2022”, ka thënë se sektori i energjisë për një kohë të gjatë është parë si sektor i izoluar.

Osmani ka përmendur disa nga rezultatet e politikave, sipas saj të gabuara e të vonuara në sektorin e energjisë dhe mjedisit.

“Tejkalimi i nivelit të grimcave, numri i lartë i sëmundjeve respirative, ambientet publike të ngulfatura nga pluhuri dhe kaosi urban janë rezultat i neglizhencës në mbrojtjen e mjedisit dhe rezultat i politikave të gabuara dhe të vonuara për një kohë të gjatë në sektorin e energjisë dhe mjedisit”, ka thënë Osmani.

Në konferencën e organizuar nga BIRN në kuadër të shënimit “Ditët e energjisë së gjelbër 2022”, Osmani ka folur edhe për gjendjen e termocentraleve në Kosovë dhe situatën e krijuar me shtrenjtimin e energjisë.

“Si rezultat i prishjes së termocentraleve së vjetruara, vendi u detyra të ju orientohet drejt importeve e se bashku me importin e energjisë elektrike u importuan edhe çmime të larta”, ka thënë Osmani.

E para e vendit tutje ka thënë se përderisa Evropa duhet të gjej balancin e duhur për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, sfidat në Kosovë dhe terë rajonin mbeten serioze.

Osmani ka thënë se po punohet në mënyrë që të jetësohet agjenda e gjelbër në Kosovë.

“Unë besoj shumë në agjendën e gjelbër dhe do te punojmë që të jetësohet në vendin tonë. Sot jam këtu për të përçuar mesazhin që përkundër faktit që e tashmja mund të duket sfiduese të ardhem duhet ta kemi të qartë, e ardhmja është e gjelbër”, ka thënë ajo.

Tutje Osmani ka falënderuar aktivistet e ambientit për angazhimin dhe punën e palodhshme në këtë drejtim.

“Ditët e Energjisë së Gjelbër” është një seri aktivitetesh që BIRN Kosova me partnerët e tij organizojnë për herë të dytë në kuadër të projektit “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.

BIRN, të hënën ka filluar javën e Energjisë së Gjelbër me dokumentarin “Helm n’ujë, helm n’ajr”, që është produksion i konzorciumit ‘Ikonë Studio dhe Pixels Production’, brenda projektit “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës”, projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga BIRN Kosova, Bankwatch, ERA Group dhe TV Mreza.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.