Labinot Tahiri, deputet. Foto: Facebook

Labinot Tahiri Tërheq Nënshkrimin për Shfuqizimin e Speciales

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri e ka tërhequr nënshkrimin e tij në peticionin e deputetëve për shfuqizimin e ligjit për dhomat e specializuara.

Përmes një statusi në Facebook, Tahiri bëri të ditur se arsyeja për tërheqjen e nënshkrimit është për shkak se sipas tij nuk dëshiron të jetë pjesë e lojërave të politikanëve.

“Kam nënshkruar me loqkën e zemrës për ata mijëra luftëtarë duke menduar se është një gjë e mirë për të cilën e çmova luften për Liri, të cilën do ta çmoj përjetësisht. Pa dyshim se Gjykata Speciale është e demshme për Kosovën. Unë nuk bëj pjes në kalkulimet politike, nuk jam kalkulant. Nuk jam vegël e asnjërit lider politik apo person i cili bën kalkulime personale për t’ia lënë patatet e nxehta në duar tjetërkujt, gjë që i bie se kërkesa ( iniciativa) ka mbetur në dorën e deputetëve, e cila nuk është në dorën e Deputetëve”, shkroi Tahiri.

Kjo tërheqje e Tahirit po vie pasi Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari i vendit u deklaruan kundër kësaj iniciative.