Kuvendi Sot Pritet ta Mbyllë Agoninë 35 Ditëshe

Bllokada disamuajshe politike pritet të marrë fund sot pasi Kuvendi i Kosovës ka vendosur në agjendë të ditës vazhdimin e seancës konstituive me votimin e kryetarit dhe kryesisë së këtij institucioni në pikën e vetme të rendit të ditës.

Që nga 3 gushti, Kuvendi është ende në rendin e ditës së seancës konstituive meqë koalicioni PAN, si subjekti më i votuar në zgjedhje, ende nuk ka dhënë kandidat për kryetar të Kuvendit për shkak të pasigurisë në vota.

Caktimi i seancës për orën 11 u bë pas një marrëveshjeje të arritur mbrëmë mes partnerëve shqiptarë të koalicionit qeveritar PAN-AKR me përfaqësues të Listës Serbe.

Raportimet e mediave flasin se marrëveshja është arritur pasi AKR hoqi dorë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila dy ditë më parë i ishte ndarë kësaj partie.

Me marrëveshjen e re, kjo ministri kalon nën kontroll të Listës Serbe e cila kishte kushtëzuar çdo marrëveshje me drejtimin e këtij resori.

Me Listën Serbe brenda, koalicioni i ri qeveritar pritet t’i ketë 63 vota pasi që deputeti i AKR-së, Korab Sejdiu nuk iu bind vendimit të partisë për të bërë koalicion me PAN-in duke dhënë dorëheqje nga postet partiake. Sejdiu mbrëmë tha se do të funksionojë si deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.