Pamje nga konferenca për media e ShKA "Agimi" të Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Kuvendi i ShKA ‘Agimi’, më 20 Maj

Sipas anëtarëve, në takimin e Kuvendit do të diskutohen dhe miratohet statuti i ri, rregulloret e reja dhe plani zhvillimor si dhe do të zgjidhen të gjitha organet e brendshme të Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi”.

Në një këtë konferencë të mbajtur sot në Prizren u bë e ditur se deri më sot nga procesi i verifikimit të anëtarëve ka rezultuar regjistri me afër 150 anëtarë të shoqatës.

Hajrulla Çeku në emër të grupit të përkohshëm menaxhues të ShKA “Agimi” tha se data 20 maj do të jetë dita kur të gjithë do të ulemi dhe t’i japim fund të gjitha zhvillimeve të cilat e kanë karakterizuar shoqërinë kohëve të fundit.

“Në kuvend do të diskutohet draft statuti I ri i shoqërisë, rregulloret e brendshme dhe do të prezantohet plani zhvillimor për vitet e ardhshme, do të vendosim edhe bazat e një organizimi pak më të shëndoshë për shoqërinë “Agimi”, tha ai.

“I ftojmë të gjithë, pa përjashtim që të jenë prezentë më 20 maj, edhe ata të cilët kanë ndonjë pakënaqësi të vijnë, sepse aty do të jetë forumi ku do të diskutohen të gjitha, në mënyrë që nga 20 maji e tutje mos të ketë pakënaqësi ose mospajtime mes grupeve dhe ta përmbyllim një episod jo aq të mirë për ShKA ‘Agimi’”, shtoi Çeku.

“Këto përpjekje tona t’i kuptojmë si përpjekje dhe aktivitet që e bëjmë në emër të kaluarës dhe për hir të së ardhmes së qëndrueshme. Interesi i gjithë këtij aktiviteti është që në ShKA të vendoset një mënyrë e menaxhimit e cila do t’i referohet ligjeve aktuale dhe ligjit për OJQ-të, një punë e cila do të bazohet në dokumentet e aprovuara nga kuvendi i ShKA ‘Agimi’, në mënyrë që puna dhe aktiviteti që zhvillohet aty te jetë në zhvillim e sipër”, tha profesoresha Indira Çipa, si anëtare e grupit.

“Unë  kërkoj nga dy palët ta ruajmë qetësinë dhe nervat, që mos të vijmë në një situatë ku do ta njollosim SHKA ‘Agimi’”, shtoi Bujar Gjurgjealo, anëtar i vjetër i ShKA “Agimi”.

Kuvendi i Anëtarëve i ShKA “Agimi” do të mbahet më 20 maj 2017, në ndërtesën e shoqatës në qendër të qytetit duke filluar në orën 11:00.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për problemet me të cilat po përballet kjo Shoqëri, nga e cila kanë dalë artistë edhe me famë botërore.

http://kallxo.com/shka-agimi-dy-udheheqje/