Kuvendi i Kosovës | Foto: Atdhe MUlla

Kuvendi Nis Shqyrtimin e Projektligjit për Prishtinën

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka paraqitur në Kuvend Projektligjin për Prishtinën, i cili është miratuar nga Qeveria.

Gashi tha se për herë të parë Prishtina do të trajtohet me ligj të veçantë.

Nait Hasani nga Komisioni funksional për Administratë tha se ky Projektligj duhet të miratohet në parim dhe Komisioni më pas mund ta amendamentojë.

“Është gabim që ky Projektligj nuk është marrë model nga një kryeqytet në Europë, por është bashkim i disa ligjeve të kryeqyteteve”, tha ai.

Ndërsa, duke folur në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, deputetja Shqipe Pantina falënderoi Qeverinë që më në fund e solli në Kuvend Ligjin për Kryeqytetin.

Ajo përmendi disa çështje që i rregullon Projektligji e të cilat s’i ka gëzuar kryeqyteti, si: Ndarja e një granti shtesë prej 4% nga granti total, ofrimi i shërbimeve shëndetësore – Prishtina nuk ofron shërbime dytësore, d.m.th. Prishtina mund ta themelojë spitalin e saj, ofrimi i sigurisë dhe rendit publik në kryeqytet.

Pantina tha se shqetësimet e Policisë së Kosovës janë të paqëndrueshme kur thonë se me këtë ligj prishet vija komanduese.

“Ky ligj i mundëson kryeqytetit që të ketë departament të veçantë në kuadër të PK-së. “Por, është një çështje tjetër që nuk rregullohet me këtë projektligj, ngase është ë padrejtë që për shembull një drejtor i urbanizmit në Prishtinë të paguhet njëjtë si një drejtor i Urbanizmit në Kllokot. Nuk është përgjegjësia e njëjtë si e kryetarit të Komunës së kryeqytetit, me le të themi kryetarin e Parteshit, Junikut”, tha ajo.

Prandaj, Pantina i bëri thirrje Ministrisë së Administratës Publike që në Projektligjin për paga ta ketë parasysh këtë fakt.