Kuvendi i LDK-së dhe Fjalët Pas Tij

Edhe sot Donika Gërvalla nuk u lejua të marrë pjesë duke u penguar nga sigurimi me arsyen se nuk ka ftesë.

Mirëpo kjo nuk e pengoi LDK-në që të fillojë me punimet e Kuvendit.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, njëherësh edhe Kryeministër iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të gjatë.

Ai foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave duke thënë se lidhet ngushtë me fatin e demarkacionit.

“Sa i përket demarkacionit, kemi marrë mesazh nga Komisioni Evropian se duhet ratifikuar kjo marrëveshje para se të jetësohet liberalizimi i vizave,” tha Kryeministri Mustafa.

Mustafa punën në qeveri e lidhi me votat që LDK-ja planifikon të marrë në zgjedhje.

“Votat që do i marrim në zgjedhjet e vitit 2018, do të jenë kallëzuesi kryesor i punës sonë në këtë qeveri,”tha ai.

Ndërsa pas fjalimit të tij Kuvendi i LDK-së mbylli dyert për mediet, duke i nxjerrë jashtë punonjësit medialë.

Ndërsa për moslejimin e Gërvallës në Kuvend, edhe sot shumë e zëshme u tregua deputetja Vjosa Osmani.

“Nëse Kadri Veseli do të vinte sot në këtë Kuvend të LDK-së, atij nuk do t’i kërkohej ftesë, andaj pse nuk është lejuar te hyjë zonja Gërvalla, meqë sot në ketë Kuvend ka shumë mysafirë,” tha Vjosa Osmani.

Ndërsa pas përfundimit të punës së Kuvendit të LDK-së, Isa Mustafa iu drejtua përsëri medieve.

Ai nuk e tejkaloi si herën e kaluar pa e komentuar rastin e Gërvallës duke thënë që problemet që i ka LDK-ja i tejkalojnë problemet individuale të të tjerëve. Ai përsëriti se shumë shpejt do të mbahen zgjedhjet në degët e LDK-së në Gjermani e Zvicër.

Gërvalla është kryetare e degës së LDK-së në Gjermani, e kontestuar nga udhëheqja e kësaj partie në qendër.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së më 20 maj ajo sikurse sot nuk u lejua të hyjë, por para tetë ditësh edhe u tërhoq zvarrë nga sigurimi.

http://kallxo.com/ldk-nis-mbledhjen-plot-telashe/

Ndërsa sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, Mustafa tha se sot ka marrë përkrahjen e deputetëve dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Sipas tij “shumica e të pranishmëve e ka mbështetur atë çka e ka thënë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Ad-Hoc, të cilin e pati thirrur ish-Presidentja Atifete Jahjaga”.