Komisionit për Buxhet e Financa

Kuvendi Kërkon Ligj të Ri pas Hulumtimit të BIRN

Komisioni për buxhet dhe financa i Kuvendit të Kosovës diskutoi të mërkurën nevojën e legjislacionit të ri për institucionet joqeveritare mikrofinanciare, duke thënë se është koha që vendi të adaptojë rregulla të reja.

Kryesuesi i komisionit, Naser Osmani, tha se duhet të bëhen hapa drejt hartimit të projektligjit për “Institucionet mikrofinanciare OJQ me status të beneficuar”.

“Nuk po kemi bazë ligjore për problemin e institucioneve mikrofinanciare OJQ; [por] s’po mundemi me zgjedh si me i bart mjetet e donacionit në aksionar, s’po mundemi me zgjedh as me ligj e as me diçka tjerër; përndryshe ne jemi peng, nuk kemi ligj”, tha Osmani.

Osmani e bëri këtë deklaratë disa orë pasi BIRN publikoi një hulumtim për KEP-in, një insitucion bamirës mikrofinanciar, i cili i ka bërë konkurrencë shumë bankave komerciale dhe ka shpenzuar miliona euro me ligjshmëri të dyshimtë.

Gjiganti Kosovar i Kredive Buzë Greminës

Osmani tha se komisioni duhet ta studiojë legjislacionin përkatës në vendet ku ky problem është adresuar me sukses, duke shtuar se institucionet e Kosovës po kërkojnë ekspertë të përshtatshëm, por nuk po gjejnë asnjë.

Ai ka mohuar se diskutimet kanë qenë të lidhura me hulumtimin e BIRN, duke sugjeruar se ishte rastësi që u diskutua në të njëjtën ditë.

“Ky ligj u diskutua sot jo për ndonjë qëllim të caktuar por ka qenë pjesë e punës së komisionit që nga viti 2015, të cilin nuk kemi arritur ta draftojmë dhe e kemi bartur në vitin 2016”, tha Osmani për KALLXO.com.

Ai shtoi se ligji i ri do të përgatitet brenda vitit 2016.

Anëtarja e komisionit parlamentar, Besa Gaxherri, pohoi se projektligji ka filluar të shqyrtohej që nga viti i kaluar dhe se është i përfshirë në planin e sivjetshëm të punës.

Sidoqoftë, kjo lëndë nuk figuronte si pjesë e agjendës së diskutimeve të komisionit të publikuar në uebfaqen e Kuvendit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Balaj, tha se së paku prej qershorit të vitit 2015 kur është bërë anëtar i komisionit, ky i fundit nuk e ka shqyrtuar asnjëherë projektligjin.

Por Balaj shtoi se një përditësim legjislativ është i nevojshëm.