Mimoza Kusari- Lila, Debat Pernime. Foto: Kallxo.com

Kuvendi Debaton për Ndotjen, Mimoza Kusari Denoncon Ndotjen në Kuvend

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, Mimoza Kusari- Lila, në debatin për ndotjen e ajrit, ka denoncuar kolegët e saj deputetë që nuk rreshtin të tymosuri në mjediset e këtij institucioni.

Vite më parë, deputetët kanë miratuar një ligj që e ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura, por Kusari- Lila tha se ky ligj nuk po zbatohet pikërisht në institucionin nga i cili ka dalë ligji.

“Së pari të flasim për ndotjen e ajrit në Kuvendin e Kosovës si deputet të kuvendit, e nuk jemi në gjendje ta mbajmë ajrin e pastër brenda në sallën e Kuvendit”, tha Kusari- Lila.

“Në parlament ndotet hapësira e përbashkët çdo ditë nga pirja e jashtëligjshme e duhanit. Këtë që sot po e bëjmë ne është në fakt absurd, mundet me u marrë si këshillë nga ministrja ose qeveria, por neve na ka humbë kredibiliteti me folë për ajrin e pastër përderisa rrimë në një hapësirë të kontaminuar atje lart dhe përderisa unë të njëjtën e ndjej edhe korridoreve të parlamentit, që tregon që kohë pas kohe edhe nëpër zyra shkelet ligji i duhanit ose pihet duhani”, tha deputetja Mimoza Kusari- Lila.