Kutllovci: Nuk e Dimë kur Vendosemi në Gjykatën e Veriut

Edhe pse është bërë një muaj prejse është dashur të fillojë zbatimi i marrëveshjes për drejtësi të arritur në dialogun e Brukselit, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë Ali Kutllovci nuk e di se kur personeli i gjykatës që drejton do të kthehet në objektin në Mitrovicën Veriore.

Kutllovci në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të transmetuar të premten tha se vetëm para dy javësh e ka pranuar zyrtarisht nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës marrëveshjen që është arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne vetëm para dy javësh zyrtarisht e kemi pranuar nga KGjK marrëveshjen që është arritur në Bruksel. Në këtë drejtim ne vetëm prej mediave çka kemi dëgjuar deri tash”, tha Ali Kutllovci.

Punonjësit e tash Gjykatës Themelore në Mitrovicë u dëbuan me dhunë nga objekti në Mitrovicën Veriore, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Prej atëherë Gjykata Themelore e Mitrovicës funksionoi në Vushtrri.

Kutlovci tregoi se vazhdimisht u është thënë se nuk mund të kthehen në veri për arsye sigurie.

“Shteti i Kosovës gjithherë është sfiduar përmes Mitrovicës dhe edhe sistemi gjyqësor po ashtu. Arsye që na u ka dhënë neve që mos me u kthye në objektin tonë nga 20 shkurti i viti 2008 ka qenë siguria”, tha Kutllovci.

Deklaratën e Kutllovcit mund ta ndiqni në vazhdim.

Më 30 nëntor 2016 Qeveria e Kosovës njoftoi se marrëveshja për drejtësi e arritur në Bruksel do të fillojë të zbatohet nga 10 janari 2017.

http://kallxo.com/dakordim-per-zbatimin-e-marreveshjes-se-drejtesise/

Marrëveshja për drejtësisë parasheh shuarjen e strukturave paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale.

Nëntë ditë pasi duhej të niste e nuk nisi zbatimi i kësaj marrëveshjeje, KALLXO.com shkroi për heshtjen në Prishtinë e Bruksel rreth moszbatimit të marrëveshjes së drejtësisë.

http://kallxo.com/heshtja-e-te-gjitheve-per-vonesen-e-hapjes-se-gjykates-ne-veri/

Krypometri, produkti i KALLXO.com që mat vërtetësinë e deklaratave publike, fjalët e ministres për Dialog Edita Tahiri se marrëveshja për drejtësinë do të fillojë së zbatuari më 10 janar 2017 e cilësoi gënjeshtër.

Rrena e Kryptë për Marrëveshjen për Drejtësi