Albin Kurti gjatë prezantimit të Platformës | Foto: KALLXO.com

Kurti u Kërkon Aktivistëve të Mos Dashurohen në Vetvete

Kur foli për pastërtinë e aktivistëve Albin Kurti porositi që kjo të mos bëhet dashuri në vetvete.

Albin Kurti gjatë paraqitjes së platformës për kryetar të Vetëvendosjes para zgjedhjeve të brendshme të këtij subjekti të përcaktuara më 21 janar dha shumë porosi për aktivistët.

Duke folur për pastërtitë që duhet të kenë aktivistët e Vetëvendosjes, Kurti tha se ajo nuk duhet të bëhet obsesion dhe nuk duhet të kalojë në dashuri për veten.

Ai tha se politikanët e Vetëvendosjes kur fitojnë pushtet nuk duhet të bëhen më të pasur se sa ishin kur ndodheshin në lëvizje.

“Nga aktivizmi nuk guxon të pasurohesh materialisht. Nuk duhet të bëhen politikanet e lëvizjes më të pasur se kur kanë hy në vv, bile preferohet të bëhen më të varfër”, tha Kurti.

Ai tregoi se do të angazhohet që të ketë decentralizim pagash në VV që të mos përfitojnë vetëm disa njerëz në Prishtinë.

“Në vend që të rriten rrogat e pak njerëzve në kryeqytet, të rritet numri i të punësuarve gjithandej në Vetëvendosje”, porositi Kurti.

Kurti foli edhe për më shumë mbledhje të strukturave të VV-së, në të cilat deklaroi se çaji, uji dhe kafetë do të jenë falas.

Rregullisht, së paku dy herë në muaj do të organizohen diskutime gjysëmformale në Lëvizje ku ndonjëri bën një prezantim për një temë dhe mandej të tjerët diskutojnë hapur. Kafet, çaji dhe uji janë falas. Ne duhet të gabojmë sa më shumë me njëri-tjetrin, që të gabojmë sa më pak me qytetarin. Nuk do të ketë dikush që flet nga lart e të tjerët që dëgjojnë poshtë”, tha Kurti.

Ai tha se aktivistët duhet të komunikojnë më shumë me qytetarët.

“Aktivistët nuk guxojnë të shpenzojnë me shumë kohë me njerëzit e regjimit, sesa me vetveten. Aktivistët nuk guxojnë të shpenzojnë më shumë kohë me vetveten se me popullin”, tha Kurti.

Kurti tregoi edhe se si duhet të jenë aktivistët e VV-së.

“Aktivisti i Vetëvendosje duhet të jetëp krenar dhe modest, i dashur dhe rigoroz, i vendosur dhe analitik, i zemëruar dhe me shpresë, i mësuar dhe debatues, punëtor dhe i aksionit”, tha Kurti.

Kurti tha se do të angazhohet që gratë të ndihen mirë në Vetëvendosje, ndërsa i shpalli luftë seksizmit.

“Çdo anëtare e re për një periudhë fillestare ta ketë 3 muaj një grua më të vjetër në Vetëvendosje si mentore. Kodi i sjelljes, për të gjithë anëtarët, sidomos djemtë e burrat- ambient pune për gra ku ndalohet gjuha e prapeanueshme”, tha Kurti.

Ai foli edhe për kuzhina popullore që tha se do të themelohen në komunat e qeverisura nga Vetëvendosje.

“Duke qenë që populli ka popullsi të re dhe lëvizja është e të rinjve, do të aktivizohet në ndihmë të komunitetit falas, që do të mbledhin ushqim për të varfrit”, tha Kurti.

Në Sallën e Kuqe ku Kurti paraqiti platformën ishte i pranishëm vetëm Mytaher Haskuka, kryetari Prizrenit, ndërsa munguan kryetarët e Prishtinës dhe Kamenicës Shpend Ahmeti e Qëndron Kastrati.

Haskuka Dhe Prindërit e Astrit Deharit në Prezantimin e Albin Kurtit

KALLXO.com e ndoqi live fjalimin e Kurtit.

Kurti në fund kërkoi votën për të qenë kryetar i Vetëvendosjes.

13 Janar 2018 - 16:21

Erjonë Popova 13/01/2018 - 16:21
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend