Kurti në konferencë | Foto: KALLXO.com

Kurti Thotë se Thaçi nuk Mund ta Pengojë Qeverinë e LVV-së

Kandidati i LVV-së për kryeministër Albin Kurti tha sot se asnjë instancë shtetërore duke përfshirë edhe Presidentin Thaçi, nuk mund ta pengojë krijimin e qeverisë së drejtuar nga Vetëvendosja.

“Nuk do të mund ta ndalë vullnetin e popullit të republikës për ndryshime që u shpreh më 11 qershor asnjë njeri i veçantë çfarëdo qofshin ata që unë ua përmend, ose nuk ua përmend emrin”, tha Kurti.

Ai më tutje deklaroi se “Thaçi mund t’i bëjë probleme vetes, por jo neve”.

Gazetarët e pyetën Kurtin në lidhje me Thaçin, pasi koalicioni PDK-AAK-Nisma ka fituar më së shumti vota dhe i takon përpjekja e parë për ta krijuar qeverinë.

Kurti më tutje në konferencë i bëri thirrje Koalicionit LDK-AKR dhe partnerëve tjerë të tij që të marrin pjesë në një tryezë bisedimesh për krijimin e qeverisë që e quajti progresive.

Nga qeveria e ardhshme Kurti nuk i përjashtoi as deputetët eKoalicionit PDK-AAK-Nisma, duke thënë se mes tyre kishte nga ata që e kundërshtonin marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ai e përjashtoi mundësinë e qeverisjes me koalicionin PDK-AAK-Nisma, duke thënë se nuk mund të ketë qeveri të re me pushtetin e qeverisjes së vjetër.

Kurti në konferencë deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më i votuar i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Ai shprehu bindjen se zgjedhjet kanë krijuar entuziazmin e tretë në Kosovë. I pari entuziazëm sipas Kurtit ishte në kohën e çlirimit në vitin 1999, i dyti në kohën e shpalljes së pavarësisë në 2008-ën, ndërsa i treti në zgjedhjet e 11 qershorit 2017.

“Në Kosovë është kthyer shpresa, sepse është kthyer guximi”, tha Kurti.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të dhëna nga KQZ-ja Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka fituar 33,91 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje 27, 16 për qind e koalicini LDK-AKR 25, 79 për qind.