Kurti: Thaçi e Mustafa të Shkojnë me “Zajednicën”

Në takimin e zhvilluar në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë, fjalimi i Albin Kurtit u prit me duartrokitje.

Kurti tha se angazhimi i opozitës së bashkuar është i drejtë dhe i dobishëm.

“‘Zajednica’ ka rënë, ‘zajednica’ ka vdekur, por vetëm Mustafa e Thaçi duan që ajo të mbetet të ngrihet dhe të ringjallet, sepse ata fatin e tyre e kanë lidhë me ‘zajednicën’. Meqë nuk u tërhoqën nga ‘zajednica’, nuk e pranuan as tërheqjen e nënshkrimeve, as anulimin e marrëveshjeve, nuk e pranuan as referendumin gjithëpopullor, tash le të shkojnë së bashku me të,” tha Kurti.

Ndërkaq, shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi tha se sot janë takuar për të vazhduar pjesën tjetër të punës e cila vlerëson se do të marrë epilogun më 17 shkurt.

“Ne bashkë ia dolëm për me i ndalë marrëveshjet, por bashkë do t’ia dalim edhe me rrëzu këtë qeveri dhe këtë pushtet i cili për kaq shumë vite bëri kaq shumë dëme dhe dy marrëveshjet ishin goditja e fundit,” tha ajo.

Shyqyri Bytyçi nga “Nisma për Kosovën” tha se secili qytetar ka mundësi për të dhënë maksimumin për ta mbrojtur shtetin e vet.

“Ne duam t’ia bëjmë me dije qeverisë se ne do të jemi jo vetëm ne aktivistët, por do të jemi të gjithë qytetarët e Kosovës anembanë në ditën e 17 shkurtit për t’i dalë zot Republikës së Kosovës,” shtoi Bytyçi.

Kurti protestat dhe aksionet kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe demarkacionin i konsideroi të suksesshme.

“Me aksione simbolike, protesta anembanë Kosovës që kulmuan me protestën madhështore të 9 janarit, ne i kemi dhënë goditje të fuqishme Serbisë dhe Qeverisë së Vuçiqit. Asnjë qeveri e Kosovës së  pasluftës, në asnjë rast nuk ia ka dhënë asnjë goditje Serbisë sikurse që e ka bërë opozita e bashkuar në këta pesë muajt e fundit,” përfundoi Kurti. [interaction id=”56bf4e623c42ab681c86c790″]